Mesut Ozil

Ozil akuzohet se i ka humbur ‘uria’ në Arsenal

Ish mbrojtësi i Arsenalit Lee Dixon, ka akuzuar mesfushorin gjerman Mesut Ozil, se i ka humbur ‘uria’ dhe ‘drejtimi’, pasi ka nënshkruar një kontratë të rehatshme me Arsenalin.

Dixon beson se lojtari më kreativ në Arsenal po ndihet shumë i rehatshëm në ‘Emirates’ dhe kjo është arsyeja se pse ai e ka humbur shkëlqimin.

“Karakteri i një lojtari duhet të merret në konsideratë. Kur ju i jepni dikujt një shumë të madhe të parave, ndoshta te disa lojtarë kjo nuk ndikon. Por tek Ozil duket se e ka ‘zbutur’ atë. Ai nuk duket i uritur, dhe kur kjo ndodh atëherë ju keni një problem. Nuk ka dyshim se ekipi ka nevojë për një lojtar si Ozil, por kur është në formën e tij më të mirë”, ka thënë Dixon për ‘The Sun’.

Dixon ka lavdëruar trajnerin aktual të Arsenalit Emery, duke thënë se ai bënë mirë që nuk i zgjedh lojtarët startues bazuar në reputacion.

“Emery ka bërë një punë shumë të mirë. Trajneri duhet të ketë kontroll. Sapo kontrolli fillon të bjerë, jo vetëm që duhet të merreni vetëm me një lojtar, por kjo gjithashtu do të ndikojë në dhomat e veshjes. Duhet të ekzistojë një ‘polic’ i dhomës së veshjes për të kontrolluar situatën. Dhe Emery po e bën mjaft mirë këtë”, ka thënë legjenda e Arsenalit Lee Dixon.