Numri i njëqindvjeçarëve në botë po shënon rritje

Vdekja e fundit e personit më të vjetër në botë në moshën 118 vjeçare nxjerr në pah numrin në rritje të njëqindvjeçarëve në mbarë botën.

Ekspertët parashikojnë se numri i njëqindvjeçarëve – njerëzve që jetojnë të paktën 100 vjeç – do të vazhdojë të rritet në dekadat e ardhshme. Ndërkohë që gjenetika luan një rol të madh në plakjen e shëndetshme, aktiviteti fizik, mbështetja sociale dhe vendi ku jetoni gjithashtu mund të ndikojnë në shanset tuaja për ta jetuar një jetë shumë të gjatë.

Motra André, një murgeshë katolike franceze e lindur Lucile Randon, e cila ishte personi më i vjetër i gjallë në botë, vdiq ditëve të fundit në moshën 118 vjeçe. Tani dy njerëzit më të vjetër të gjallë besohet të jenë María Branyas Morera, një grua spanjolle 115-vjeçare e lindur në Shtetet e Bashkuara dhe Fusa Tatsumi, e cila jeton në Osaka, Japoni, e cila është gjithashtu 115, por 52 ditë më e re se Morera, sipas një data baze të dhënash nga Grupi i Kërkimeve Gerontologjike.

Bazuar në një vlerësim të vitit 2022 nga Kombet e Bashkuara, ka 593,000 njëqindvjeçarë në mbarë botën. Është një grupmoshë me rritje të shpejtë. Projektet e Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2050 do të jenë 3.7 milionë njëqindvjeçarë të gjallë.

A e keni fituar lotarinë gjenetike?

Ekspertët që e studiojnë jetëgjatësinë në rritje të njeriut thonë se arsyeja pse dikush mund të jetojë më shumë se 100 vjet fillon me ADN-në e tyre – gjenet që ata kanë trashëguar nga prindërit e tyre.

“Nuk mund të jetosh kaq gjatë pa e fituar tashmë lotarinë gjenetike në lindje”- thotë S. Jay Olshansky, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Illinois në Çikago. “Pra, rregulli numër një do të jetë gjenetika”.

Sa më gjatë të jetojnë prindërit tuaj, aq më shumë ka gjasa që ju ta bëni një jetë më të shëndetshme dhe më të gjatë, thonë ekspertët. Luigi Ferrucci, drejtor shkencor në Institutin Kombëtar të Plakjes, thotë se fëmijët e njëqindvjeçarëve zakonisht jetojnë më të shëndetshëm dhe më gjatë se bashkëmoshatarët e tyre.

“Ndoshta nuk është një gjen i vetëm, por një profil, një kombinim gjenesh”- tha Ferrucci.

Të jetosh deri në 100 vjeç e ndërlikon daljen në pension

Nir Barzilai, drejtor i Institutit për Kërkimin e Plakjes në Kolegjin e Mjekësisë Albert Einstein në Bronx, ka studiuar jetën e qindra njëqindvjeçarëve, njerëzit me të cilët janë martuar dhe fëmijët e tyre. Fëmijët e njëqindvjeçarëve janë “rreth 10 vjet më të shëndetshëm” se bashkëmoshatarët e tyre, thotë Barzilai.

Barzilai po punon me të tjerët për të regjistruar 10,000 njëqindvjeçarë, fëmijët e tyre dhe një grup kontrolli nga popullata e përgjithshme për t’i identifikuar gjenet e ndryshme që kontribuojnë në një jetë të gjatë. Njerëzit që kanë një mutacion të caktuar në hormonin e tyre të rritjes, për shembull, kanë “shumë gjasa të jetojnë më gjatë” sepse qelizat e tyre shpenzojnë më shumë energji për t’i ruajtur qelizat ekzistuese, jo për t’i rritur të rejat, thotë Barzilai.

”Plani është të përdoret inteligjenca artificiale për të ndihmuar në gjetjen e gjeneve dhe zhvillimin e ilaçeve prej tyre, thotë ai.

“Ne me të vërtetë duam t’i gjejmë të gjitha gjenet e jetëgjatësisë”- thotë Barzilai.

Olshansky thotë se ai dhe kolegët e tij po përgatiten ta lansojnë një platformë në muajin shkurt, ku njerëzit mund të ngarkojnë të dhëna nga një shërbim testimi gjenetik për të identifikuar nëse ata kanë gjene “të lidhura me jetëgjatësinë e jashtëzakonshme”, në mënyrë që të mund ta planifikojnë financiarisht për pensionin.

“Unë jam një bartës, për shembull, i dy grupeve të gjeneve që lidhen me jetëgjatësinë”- thotë Olshansky. “Për qëllime planifikimi, ndoshta më duhet ta shtyj daljen në pension”.

Mjedisi dhe mënyra e jetesës llogariten

Ekspertët nuk pajtohen se sa gjenetika ndikon në jetëgjatësinë e një personi kundrejt stilit të tyre të jetesës. Por shumica e ekspertëve thonë se gjenet e mira do t’ju sjellin deri këtu.

Jamie Justice, asistent profesoreshë e gerontologjisë në Universitetin Wake Forest, thotë se disa kërkime kanë sugjeruar se gjenetika përbën rreth 25 për qind të jetëgjatësisë. Pjesa tjetër 75 për qind ka të bëjë me mjedisin tuaj – ku jetoni, çfarë hani, sa shpesh ushtroheni dhe sistemin tuaj të mbështetjes përmes miqve ose familjes.

Për ata prej nesh që nuk janë të pajisur me një sërë gjenesh premtuese, qëllimi nuk është t’i shtyjmë kufijtë e jetëgjatësisë njerëzore, thotë Justice. Në vend të kësaj, studiuesit duan të kuptojnë se si njerëzit mund ta kenë jetë të plotë dhe të shëndetshme me kohën që kanë.

“Qëllimi nuk është domosdoshmërisht të jetosh deri në 118 vjet. Është të jetosh mirë brenda atyre viteve”- thotë Justice. “Çfarë gjërash individuale bëjmë ne që të mund ta shfrytëzojmë vërtet shëndetin tonë dhe të jetojmë më të shëndetshëm brenda viteve të dhëna?”

Dhe, shton tutje Justice, një sistem i mirë shëndetësor publik “nuk mund të shitet”. Nëse keni një sistem më të mirë të kujdesit shëndetësor, do të keni një jetëgjatësi më të lartë, thotë ajo.

Edhe vendndodhja është me rëndësi gjithashtu 

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë njëqindvjeçarët dhe mbiqindvjeçarët më të konfirmuar, njerëz që jetojnë deri në 110 vjeç e lart; dhe Japonia ka më shumë njëqindvjeçarë për frymë, sipas Robert Young, drejtor i kërkimit mbiqindvjeçar në Grupin Kërkimor Gerontologjik.

Por, ndoshta ka më shumë njëqindvjeçarë dhe mbiqindvjeçarë për të cilët nuk dimë. Më shumë se 110 vjet më parë, disa vende ishin më të mira në krijimin dhe ruajtjen e certifikatave të lindjes ose të të dhënave spitalore, tha Young. Mbajtja e të dhënave të një vendi një shekull më parë është shpesh faktori që përcakton se ku raportohen superqindvjeçarët e konfirmuar në të gjithë botën, tha ai.

“Njerëzit duhet të kujtojnë se kur po e shikojmë jetëgjatësinë njerëzore sot, ne në fakt po e shikojmë më shumë në gjendjen e botës 110 e më shumë vite më parë”- tha Young.

Përtej mbajtjes së të dhënave, ku jeton dikush – një zonë lufte, një vend me qasje në kujdes shëndetësor cilësor, një vend me shumë ndotje, një komb i zhvilluar ku njerëzit ulen shumë – ndoshta luan një rol të rëndësishëm në jetëgjatësinë.

Studiuesit kanë zbuluar kohët e fundit se “stresi i jetës ndikon drejtpërdrejt në disa nga mekanizmat biologjikë të plakjes”- thotë Ferrucci, duke shtuar se ekspozimi ynë ndaj llojeve të ndryshme të ndotjes mund ta dëmtojë edhe shëndetin tonë të përgjithshëm. Ai e quajti temën një “fushë kërkimi në zgjerim” që mund ta revolucionarizojë mënyrën se si i qasemi shëndetit publik.

“Ne po zbulojmë se sekreti i shëndetit të mirë nuk është vetëm në sjelljen tonë, por është edhe në atë që shoqëria jonë bën për ta përmirësuar shëndetin e popullatës sonë”- tha Ferrucci.

Dhe, nga studimi i njëqindvjeçarëve, Ferrucci thotë se studiuesit kanë zbuluar se të moshuarit e shëndetshëm priren të mbeten fizikisht aktivë, të kalojnë kohë jashtë dhe të kenë lidhje të forta me miqtë dhe familjen e tyre.

“Thjesht shetitja në natyrë”- bën një ndryshim të madh, thotë Ferrucci.

“Nëse do të kisha një xhevahir për t’u dhënë njerëzve që duan të jetojnë gjatë dhe mirë, do t’u thoja të ngriheshin herët në mëngjes dhe të dilnin jashtë”- thotë Ferrucci. “Kjo është me të vërtetë dhurata më e mirë që mund t’i bëni vetes nëse doni të arrini jetëgjatësi”.

Megjithatë, Ferrucci shton se njëqindvjeçarët, dhe veçanërisht mbiqindvjeçarët janë shpesh “unikë”. Disa njerëz kanë këtë “rezistencë biologjike” për të jetuar një jetë të gjatë, pavarësisht se gjithçka shkon kundër tyre.

“Është kurba e vdekshmërisë që e karakterizon popullsinë e përgjithshme dhe më pas janë këta individë që janë veçori unike”- thotë Ferrucci. “Ne nuk e dimë si arrihet një moshë e tillë dhe ky është sekreti i madh”.

Ekspertët thonë se këshillat e zakonshme të ushtrimeve të rregullta dhe të ngrënies së ushqimit të shëndetshëm zbatohen përgjithësisht për të gjithë të rriturit e moshuar, por për disa qindvjeçarë, ka përjashtime nga rregulli. Një herë Barzilai vizitoi një njëqindvjeçare dhe kur hapi derën, ajo po pinte cigare.

“I thashë asaj: ‘Helen, askush nuk të tha ta ndaloje duhanin?’”- tha Barzilai. “Dhe ajo ma ktheu, ‘E di çka, katër mjekët që më thanë të lija duhanin, që të katërtit kanë vdekur”./Washington Post

Përgatiti: Nuhi Shala