Një xhiro rreth botës para se ta humbin shikimin

Një familje kanadeze do ta bëjë një xhiro rreth botës para se fëmijet e tyre ta humbasin shikimin.

Mia ishte vetëm tri vjeçare kur çifti kanadez Edith Lemay dhe Sebastien Pelletier vunë re për herë të parë se vajza e tyre kishte probleme me shikimin.

Disa vjet pasi e çuan për herë të parë tek një specialist, Mia, më e madhja nga katër fëmijët e tyre, u diagnostikua me retinitis pigmentosa, një gjendje e rrallë gjenetike që shkakton humbje ose rënie të shikimit me kalimin e kohës.

Në këtë pikë, Lemay dhe Pelletier, të cilët kanë qenë të martuar për 12 vjet, kishin vënë re se dy nga djemtë e tyre, Colin, tani shtatë vjeç dhe Laurent, tani pesë, po përjetonin të njëjtat simptoma.

Frika e tyre u konfirmua kur në vitin 2019 djemtë u diagnostikuan me të njëjtin çrregullim gjenetik; djalit të tyre tjetër Leo, tani nëntë vjeç, i është thënë se është jashtë këtij rreziku.

“Nuk ka asgjë që mund të bësh vërtet”, thotë Lemay, duke shpjeguar se aktualisht nuk ka asnjë ilac apo trajtim efektiv për ta ngadalësuar përparimin e retinitit pigmentoz.

“Nuk e dimë se sa shpejt do të ndodhë, por ne presim që ata të jenë plotësisht të verbër nga mesi i jetës.”

Kujtimet vizuale

Pasi u pajtuan me këtë fakt të hidhur, çifti kanadez e përqendroi vëmendjen e tyre se si t’i ndihmojnë fëmijët e tyre në ngritjen e aftësitive që do t’u duheshin për navigim në jetën e tyre.

Kur specialisti i Mia-s i sugjeroi që ta përfshijnë vetën e tyre me “kujtime vizuale”, Lemay kuptoi se ekzistonte një mënyrë vërtet e pabesueshme që ata mund të bënin pikërisht këtë për të dhe për fëmijët e tjerë.

“Mendova me vete, ‘nuk do t’ia tregoj asaj asnjë elefant në një libër dhe në vend të kësaj do ta çoj për ta parë një elefant të vërtetë,” shpjegon ajo. “Dhe unë do ta mbush kujtesën e saj vizuale me pamjet më të mira, më të bukura që mundem.”

Ajo dhe burri i saj shpejt filluan të bëjnë plane për ta kaluar një vit duke udhëtuar nëpër botë me fëmijët e tyre.

Ndërkohë që Lemay dhe Pelletier udhëtonin shpesh së bashku përpara se të bëheshin prindër dhe kishin marrë fëmijët e tyre në udhëtime të ndryshme, shkuarja në një udhëtim të zgjatur si një familje nuk ishte dukur e realizueshme më parë.

“Me diagnozën kemi një urgjencë”, shton Pelletier, i cili punon në sektorin e financave. “Ka gjëra perfekte për të bërë në shtëpi, por nuk ka asgjë më të mirë se të udhëtosh.

“Jo vetëm pamjet, por edhe kulturat dhe njerëzit e ndryshëm”.

Së shpejti ata filluan të përpiqeshin t’i bënin kursimet e tyre dhe dëshira e tyre për këtë udhëtim u bë me një urgjencë të mirëpritur kur kompania ku Pelletier punonte dhe kishte aksione u ble.

“Ishte si një dhuratë e vogël nga jeta,” pranon Lemay, i cili punon në logjistikën e kujdesit shëndetësor. “Pikërisht, këtu janë paratë për udhëtimin tuaj.”

Familja prej gjashtë anëtarësh fillimisht duhej të nisej në korrik të vitit 2020 dhe kishte planifikuar një itinerar të ngjeshur që përfshinte udhëtimin përmes Rusisë me rrugë tokësore dhe kalimin e kohës në Kinë./CNN