Nisin mashtrimet me Libra
27.7.2019 - 22:45
Dhjetëra llogari të rreme që synojnë të shesin monedhën ende të pa lansuar digjitale të Facebook-ut, Libra, kanë rrjedhë në platformë si përpjekje e mashtrimeve më të reja në internet.
Washington Post shkruan se dhjetëra llogari, faqe dhe grupe në Facebook dhe Instagram thonë se janë zyrtare për blerje të monedhës digjitale në lirim.
Llogaritë, raporton WP, shpesh përdorin logon zyrtare të Facebook-ut dhe materiale tjera të marketingut, për t’i bërë më të besueshme për blerësit.
Platforma të ngjashme të rreme për shitjen e monedhës digjitale Libra janë edhe në Twitter dhe Youtube.
Libra është emri i monedhës më të re digjitale të Facebook-ut, e cila do të lansohet vitin e ardhshëm.