Në nëntor dueli Wilder – Joshua

Deontay Wilder dhe Anthony Joshua me shumë gjasa do të përballen me njëri-tjetrin në nëntor të këtij viti, shkruan Sky Sport.

Sipas Eddie Hearn që është ndërmjetësuesi i këtij dueli, ka thënë se të dy palët janë të interesuara që të përballen këtë vit, pasi do të ishte një fitim ekonomik shumë i madh për ta.

“Nuk dua të tregohen euforik, por si ndërmjetës për të realizuar këtë duel mendoj se këtë herë gjërat janë drejt finalizimit. Nuk e mohoj që marrëdhëniet mes dy palëve nuk janë të mira, pasi secila anë synon të përfitojë sa më shumë ekonomikisht nga ky duel. Por të dyja palët dëshirojnë këtë përballje dhe unifikimin e titujve kampionë. Gjasat janë që ky duel të ndodhë në nëntor ose dhjetor, nëse të dy boksierët fitojnë duelet e radhës”, ka thënë Hearn për Sky Sport.

Sipas tij ky do të jetë dueli më i madh i dekadës së fundit në boks dhe të dy boksierët janë të aftë që të dhurojnë një përballje të fortë dhe spektakël.

Joshua është kampion bote në kategoritë WBA, WBO dhe IBF ndërsa Wilder mban titullin në kategorinë WBC.

Anglezi Joshua me 1 qershor do të përballet me Jarrell Miller në New York, ndërsa Wilder pas dështimit të duelit me Tysor Fury, flitet që do të përballet kundër Dominic Breazeale me 18 maj, por ky duel ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.