Në Kosovë do të shënohet Dita e Binjakëve

Katër gushti është dita e cila në gjithë botën shënon ditën e binjakëve, këtë ditë që nga viti 1976 në gjithë botën organizohen aktivitete të ndryshme, ndërsa për herë të parë në Kosovë do të bëhet një organizim i tillë duke mbledhur në Sheshin e Prishtinës të gjithë prindërit me fëmijë binjakë, trenjakë apo më shumë.

Nazife Sallauka Hasani njëra nga organizatoret thotë se qëllimi është simbolik por që do të jetë moment i bukur për të shënuar diçka në nder të binjakëve, trenjakëve e të tjerëve.

“Të gjithë e shohim se si janë reagimet më të bukura kur shohim prindërit me binjakë, trenjakë etj duke shetitur, dukë bërë shoping apo duke i dërguar në çerdhe e në shkollë, andaj me 4 gusht do të jenë të gjithë binjakët në një vend për të shijuar këtë mrekulli së bashku” thotë ajo.

Sallauka Hasani thotë se ideja ka ardhur nga një bashkëbisedim me një nënë tjetër të binjakëve, pasi që u dakorduan ato filluan të kërkojnë mbështetje nga kompani të ndryshme për pjesën teknike dhe për të siguruar nga një pije për të pranishmit.

“E kemi dhënë si ide që me veshur maica të njejta mirëpo maicat i kemi dizajnuar por nuk kemi mundur që t’i sigurojmë dhe shpërndajme falas por kemi kërkuar nga pjesëmarrësit që t’i sigurjonë individualisht“, thotë Sallauka Hasani.

Të dielën me fillim nga ora 11:00 do të bëhet parakalimi i prindërve me fëmijët binjak, trenjakë e të tjerë nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te “Teatri Kombëtar”