Foto: Kalin Milanov/Flickr

Mbi 17 Mijë Çifte të Kurorëzuara në Vitin 2016

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë” dhe në bazë të të dhënave të marra nga zyrat e gjendjes civile gjatë vitit 2016 janë bërë 17.410 kërkesa për kurorëzime.

“Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë, në vitin 2016, janë kurorëzuar 16 051 çifte bashkëshortore, kurse jashtë Kosovës janë kurorëzuar 1359 çifte bashkëshortore”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga ASK-ja.

Përkatësia etnike e femrave dhe meshkujve të kurorëzuar sipas ASK-së është: shqiptare (femra me 92.2% dhe meshkuj me 95.7%); serbe (femra me 0.9% dhe meshkuj me 0.9%); turke (femra me 0.4% dhe meshkuj me 0.5%); boshnjake (femra me 1.2% dhe meshkuj me 1.2%); rome, ashkalije dhe egjiptiane (femra me 1.2% dhe meshkuj me 1.2%); kurse me përkatësi tjeter janë (femra me 4.2% dhe meshkuj 0.6%).

Mosha mesatare e të martuarve ishte 29.8 vjeçare. Prej tyre, mosha mesatare e meshkujve ishte 31.6 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave 28.1 vjeçare.

Më së shumti janë martuar femrat mes moshës 20-24 vjeç, me 5.238 raste, ose 32.6%, ndërsa tek meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 4.877, ose 30.4%.

Sipas ASK-së, komuna e Prizrenit ka pasur më së shumti kurorëzime në Kosovë me 1.486, ose 8.5%, pastaj vjen Prishtina me 1.372 kurorëzime, ose 7.9%. Ndërsa, në vendin e tretë është komuna e Ferizajt me 995 kurorëzime, ose 5.7%.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie është 10.037, ose 62.5%, dhe e meshkujve 11.476, ose 71.5%.

Në prill Komuna e Prishtinës vendosi që çiftet e reja që martohen të mbjellin nga një dru.

http://kallxo.com/ciftet-nga-prishtina-te-mbjellin-drurin-e-marteses/