Majlinda Kelmendi flet pas fitores në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”

Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi, sot është kthyer në Kosovë bashkë me gjithë ekipin kosovar, ku ka folur për suksesin e saj të radhës.

Kelmendi është shprehur shumë e lumtur, për faktin se pas 14 muajve jashtë garave, ka arritur që të fitojë medaljen e artë në kampionatin evropian, medalje e vetme e cila i mungonte xhudistes nga Peja.

“Sigurisht që po ndjehem shumë mirë, ka qenë hera e parë për mua që kam marrë pjesë në lojëra evropiane, edhe kjo ka qenë ndoshta ajo medalja e cila më ka mungu. Më gëzon jashtëzakonisht fakti që jom bo e para dhe ka qenë kampionat, për shkak që nuk kam garu për një kohë të gjatë në kampionat dhe thjesht kjo medalje e rrit vetbesimin tim, që jom kthy në formë të mirë dhe jam gati për me e vazhdu karrierën aty ku e kam lënë. Pothuajse 14 muaj kam qenë jashtë garave dhe ka qenë një periudhë mjaft e vështirë. Shumë e vështirë ndoshta ka qenë ana psiqike, kjo është pjesa më e vështirë e sportistit pas lëndimit, mirëpo fatmirëshisht unë jam kthyer shumë mirë”, ka thënë Kelmendi.

E trajneri i saj Driton Kuka, iu ka bërë thirrje deputetëve që sa më shpejtë ta votojnë në Kuvend ligjin për sportin.

“Po pres që ata deputetë që nuk e kanë votuar ligjin për sportin të reflektojnë, sepse garuesit edhe sportistët për djersën që e derdhin në stërvitje, meritojnë që të kenë përkrahje edhe për këtë ligj”, ka thënë ndër të tjera Kuka, ku është shprehur i lumtur edhe për fitimin e medaljes së bronztë nga mbesa e tij, Loriana Kuka.

Edhe xhudistja tjetër Nora Gjakova, ka thënë se është kënqësi për të që të jetë në podium, pavarësisht çfarë gare merr pjesë, edhe pse sipas saj, dëshira ka qenë që ta fitojë medaljen e artë.

Maljinda Kelmendi të shtunën fitojë medaljen e artë në kampionatin evropian “Minsk 2019”, duke mposhtur në finale rusen Natalia Kuziutina.

Majlinda përsëri e artë