Llogaritë pas shortit të Ligës së Kampionëve

Solskjaer do të kthehet në Camp Nou gati pas 20 vjetëve, por këtë herë si trajner i Manchester Unitedit.

Shorti i Ligës së Kampionëve e vendosi atë përballë Barcelonës dhe si duket atij do t’i duhet një tjetër mrekulli e Camp Nout, pas asaj të finales së vitit 1999 kundër Bayern Munichut, shkruan Goal.com.

Messi është në formën e tij më të mirë dhe e dëshmoj në ndeshjen kundër Lyonit, ku shënoj dy herë dhe asistoj po aq herë, vetëm 24 orë pas spektaklit të Cristiano Ronaldos, e cila në një farë mënyre e vuri në harresë se sa madhështor është argjentinasi në këtë kompeticion.

Lionel Messi ka një rekord prej 22 golave kundër klubeve angleze në karrierën e tij në Ligën e Kampionëve. Gjetja e një mënyre për të ndalur kërcënimin e ndoshta lojtarit më të madh që ka luajtur ndonjëherë, do të jetë padyshim testi më i madh i aftësive menaxheriale të karrierës së Solskjaer deri më tani.

Me 14 fitore në 18 ndeshje nën drejtimin e Solskjaerit, Man Utd nuk do të ketë domosdoshmërisht frikë në dy ndeshjet ndaj katalanasve, por një paraqitje si ajo e ndeshjes së parë ndaj PSG-së, do t’ia pamundësonte “djajve të kuq” që të arrijnë në gjysëmfinale të garës, një gjë që nuk e kanë arritur që nga viti 2011, ku shkuan deri në finale e u eliminuan pikërisht nga Messi me shokët e tij. Një tjetër mrekulli e Camp Nout i duhet patjetër Solskjaerit.