Kosova luan sonte ndeshje jetike për Eurobasket 2021

Sonte me fillim nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Kosova është nikoqire e Rumanisë në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve për Eurobasket 2021.

Ndeshja e sotme do të jetë jetike për Kosovën, në mënyrë që ta sigurojë një vend për kualifikimet për Eurobasket 2021.

Kosova bën gara në Grupin B ndërsa në tri ndeshjet e para ka pësuar dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania. Mundësia e fundit për ta siguruar një vend për në kualifikime për Eurobasket 2021 do të jetë në muajin gusht.

Maqedonia i prin grupit me 6 pikë, ku nga tri ndeshje ka po aq fitore, kurse Rumania dhe Kosova i kanë nga tri pikë secila, përderisa rumunët i kanë luajtur dy ndeshje deri më tani, dhe dy të tjerat do t’i luajnë në muajin shkurt, së pari kundër Maqedonisë dhe më pas kundër Kosovës.

Fituesi i grupit do ta sigurojë një vend direkt për në kualifikime për Eurobasket 2021.

Damir Mulaomeroviç, përzgjedhës i Kosovës, ka thënë se është i lumtur me atmosferën që po mbretëron tek lojtarët.

“Unë jam shumë i lumtur me atmosferën e shkëlqyeshme që është duke mbretëruar në Përfaqësuese. Djemtë kanë punuar me përkushtim të madh gjatë këtyre pesë ditëve dhe mund të them se për kaq ditë kemi arritur të bëjmë shumë gjëra së bashku”, ka thënë ditë më parë ai.

Mulaomerovic  po ashtu e ka lavdëruar Rumaninë duke thënë se ata kanë një ekip të mirë.

“Rumania ka një ekip shumë të mirë, ata të enjten mbrëma e kanë mposhtur Maqedoninë, dhe kjo do të thotë se ata me të vërtetë kanë një skuadër të mirë”, është shprehur trajneri i Kosovës.

Ai i ka cilësuar basketbollistët e Kombëtares së Kosovës si luftëtarë të vërtetë.

“Kemi pak probleme të vogla me lëndime, por ato nuk duan justifikime, kështu që nuk jemi të fokusuar në këtë pjesë, por jemi të fokusuar në atë që të hyjmë në fushë dhe ta fitojmë ndeshjen me këta lojtarë që i kemi në dispozicion e që mendoj se e kemi një ekip mjaft të fortë. Të dielën basketbollistët tanë do të dëshmojnë se janë luftëtarë të vërtetë dhe shfrytëzoj rastin t’i ftoj tifozët të vijnë në numër sa më të madh të dielën në palestër, sepse me të vërtetë kemi nevojë për përkrahjen e tyre, por edhe mendoj se këta djem e meritojnë përkrahjen e të gjithëve. Po ashtu shpresoj se të dielën do të jetë një ndeshje me basketboll cilësor, sepse si ekip kemi pasur disa zhvillime dhe e kemi vendosur një standard në ekip, dhe kjo është për t’u lavdëruar për një Përfaqësuese të re si Kosova”, ka potencuar ai.

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha ka thënë se për ndeshjen e sotme janë të gatshëm dhe do të japin gjithçka nga vetja që ta fitojnë këtë ndeshje.

“Besoj se 100% do të jemi të gatshëm për të dielën. Kemi stërvitur mjaft mirë, atmosfera është shumë e mirë, gjithçka po shkon sipas planit të paraparë. Lojtarët që për herë të parë janë pjesë e Përfaqësueses na kanë dhënë një energji të re dhe një motivim. E dimë mjaft mirë për çka jemi duke luajtur, do të luajmë para shikuesve tanë si vendas, kemi më dhënë gjithçka nga vetja për ta fituar këtë ndeshje, gjë e cila nuk ka me qenë lehtë. Rumania ka eksperiencë, por ne si ekip çdo ditë po e ngritim nivelin e lojës tonë, po vijnë lojtarë të rinj të motivuar, andaj të dielën do të jemi të gatshëm 100% për fitore. Kisha dashur që të bëjë thirrje tek të gjithë ata që e duan sportin të vijnë të dielën në palestër për të na përkrahur, si dhe ‘Dardanët’ në numër sa më të madh, përkrahësit tanë të flaktë, të cilët do të motivojnë shumë për ta fituar këtë ndeshje”, ka thënë Berisha para ndeshjes.

Ndërsa, drejtori i Kombëtares së  Kosovës, Granit Rugova ka folur për rëndësinë e kësaj ndeshje, si dhe i ka ftuar shikuesit që në numër sa më të madh të jenë të pranishëm në palestër.

Ai po ashtu e ka konfirmuar edhe praninë e tifozëve tanë të flaktë “Dardanët” të cilët të organizuar do të vijnë për t’i mbështetur basketbollistët tanë në duel me rumunët.

“Secila ndeshje ka rëndësinë e vet, e tillë do të jetë edhe kjo me Rumaninë, andaj bëjë thirrje tek të gjithë adhuruesit e sportit që të dielën të vijnë në numër sa më të madh për të na mbështetur, sepse kemi nevojë për përkrahje sa më të madhe të tifozëve. ‘Dardanët’ do të jenë të pranishëm në palestër në mënyrë të organizuar dhe tani na ka mbetur që të gjithë së bashku të kontribuojmë për të arritur deri te fitorja. Sa i përket ekipit, stërvitjet kanë shkuar shumë mirë, basketbollistët janë në formë të mirë. Jemi grumbulluar që nga data 18 shkurt dhe kemi punuar intensivisht në mënyrë që të komponohemi sa më mirë për duelin me rumunët”, ka thënë ai.

Rundi shtesë i parakualifikimeve për Eurobasket 2021 do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht, ndërsa emrat e kundërshtarëve Kosova do t’i mësojë në shkurt pas ndeshjes kundër Rumanisë.

Këta janë basketbollistët që janë ftuar për ndeshjen e sotme nga trajneri  Damir Mulaomerovic: Dardan Berisha, Edmond Azemi, Lis Shoshi, Erjon Kastrati, Meriton Ismaili, Fisnik Rugova, Valon Bunjaku, Drilon Hajrizi, Samir Zekiqi, Rron Grapci, Mikaile Tmusic, Malcolm Armstead.

Për shkak të lëndimeve për këtë ndeshje nuk janë ftuar Gëzim Morina dhe Scott Bamforth.

Biletat shiten te monumenti ‘NewBorn’ prej orës 11:00 deri në ora 20:00.

Çmimi i biletave do të jetë 2 euro, ndërsa për bileta VIP do të jetë 10 euro.