Kompanitë teknologjike premtojnë miliarda dollarë për sigurinë kibernetike

SHBA dhe disa kompani amerikane kanë pësuar disa sulme kibernetike, për të cilat zyrtarisht janë akuzuar hakera të lidhur me Rusinë dhe Kinën. Për të rritur mbrojtjen ndaj këtyre sulmeve, presidenti Biden është takuar me drejtuesit e gjigandëve të teknologjisë, të cilët premtuan miliarda dollarë investime.

Pas një sërë sulmesh kibernetike të profilit të lartë ndaj kompanive amerikane, gjigandët e teknologjisë në SHBA u zotuan se do të investojnë miliarda dollarë për të përforcuar sigurinë.

Drejtuesit e kompanive Microsoft ,Google, Amazon, Apple e të tjera u takuan të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Joe Biden.

Ai u tha atyre se ka shumë punë për tu bërë dhe se qeveria federale nuk mund ta bëjë këtë vetëm.

Agjencitë qeveritare dhe disa biznese private në SHBA janë goditur këtë vit nga disa sulme të mëdha kibernetike, ku më i madhi është ai i 2 korrikut,  kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya me qendër në Florida.

Më herët, në muajin maj, hakerat sulmuan operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline, ndërsa në qershor shënjestër e radhës e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit JBS.

Zyrtarisht, Shtëpia e Bardhë i ka lidhur këto sulme me Rusinë dhe Kinën.

Pas takimit të së mërkurës, Shtëpia e Bardhë tha se Microsoft është zotuar se do të shpenzojë 20 miliardë dollarë për të përforcuar sigurinë kibernetike gjatë pesë vjetëve të ardhshme.

Google tha se do të shpenzojë 10 miliardë dollarë, ndërsa Amazon tha se do ti bëjë falas trajnimet për sigurinë kibernetike/OraNews/.