Foto: KF Bashkimi/Facebook

KF Bashkimi dyshon për dallavere në ndeshjen Vitia - Vllaznia, rastin do ta dërgojë në prokurori

Xhiroja e 29-të në Ligën e Parë ka sjellë rezultate befasuese, ku ekipet të cilat janë në fundin e tabelës kanë fituar ndaj atyre të cilat janë në kreun e tabelës.

Një gjë e tillë ndodhi edhe në ndeshjen Vitia – Vllaznia e Pozheranit, të cilët e fituan mysafirët me rezultat 1-0.

Por, për këtë lojë zyrtarët e klubit të Bashkimit të Koretinit kanë dyshuar se ka qenë e kurdisur dhe i kanë verifikuar protokollet e ndeshjeve, ku kanë gjetur se Vllaznia e Pozheranit e kishte futur në lojë një lojtar me 4 kartonë të verdhë, gjë e cila e penalizon menjëherë ekipin duke i humbur pikët.

Ilir Berisha, sekretar i klubit të Bashkimt të Koretinit, ka treguar për KALLXO.com se kanë bërë ankesë si palë e tretë në Federatën e Futbollit të Kosovës për ndeshjen Vitia – Vllaznia P, që mysafirët kanë futur në lojë një lojtar me katër kartona të verdhë.

“Loja e zhvilluar ndërmjet Vitisë dhe Vllaznisë së Pozheranit e zhvilluar me 15.05 2019, ka përfunduar me rezultat 0-1. Në të nesërmen me datë 16 maj, kemi hulumtuar buletinet zyrtare dhe kemi gjetur se një lojtarë  i Vllaznisë është inkuadruar me 4 kartona të verdhë. Brenda afatit ligjor në cilësinë e palës së tretë kemi ushtruar ankesë”, tregon fillimisht sekretari i klubit për KALLXO.com.

Ai ka treguar se menjëherë pasi e kanë dërguar kërkesën për këtë parregullsi, në drejtim të tyre kanë ardhë thirrje nga njerëzit e Vitisë dhe Vllaznisë së Pozheranit.

“Pas kësaj gjatë ditës kanë filluar telefonatat dhe shkrimet nga zyrtarët e Vitisë dhe Vllaznisë duke kërkuar që të tërhiqet ankesa me arsyetimin se kanë shpenzuar shume dhe përse po ia bëjmë atë” thotë Berisha.

Sekretari i klubit të skuadrës nga Kamenica, thotë se sot janë ftuar nga FFK-ja, për t’i paraqitur faktet. Mirëpo Berisha thotë se janë falsifikuar protokollet nga Vllaznia e Pozheranit, pasi nuk përputhen me buletinet e dërguara nga FFK-ja.

Ai tregon se pas ankesës së dërguar në FFK, të hënën do të hapin rast në prokurori dhe në policinë e Kosovës.

“Ne sot jemi ftuar nga komisioni i FFK-së, praktikë e re nga sot dhe gjatë administrimit të fakteve na paraqitet një protokoll për të cilin dyshojmë se është i falsifikuar e që nuk përputhet me të dhënat e buletineve të dërguar nga Federata. Sot kemi kontaktuar njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe kemi qëndruar për pak kohë në prokurorinë e shtetit për të marrë adresën për të vazhduar procedurën rreth kësaj kurdisje dhe ankese. Ankesën e kemi dërguar në FFK. Të hënën do të hapim rast në prokurori dhe në polici, për këtë kurdisje dhe dallver që është duke u bërë”, zbulon Berisha për KALLXO.com.

Nesër zhvillohet xhiroja e fundit në Ligën e Parë. Të gjitha ndeshjet luhen prej orës 16:00.