Këshillat e mjekut:  Viti i Ri i parë me beben

Festat e fundvitit janë të mbushura me plot dashuri e shpresë, gjithmonë në vete e kanë një veçanti por për prindërit të cilët e festojnë vitin e ri të parë me beben festa bëhet edhe më e veçantë, thotë Mamia Razije Musa.

“Është shumë e rëndësishme që festat të shijohen, por unë gjithmonë u jap këshilla nanave që për asnjë arsye të mos e prishin rutinën e fëmijës, pra një fëmijë që fle në ora 20:00 nuk ka arsye ta shtyjë rutinën e tij për shkak të festës”, thotë Musa.

Sipas mamisë është mirë që fëmijëve t’u bëhen fotografi për të mbetur kujtim për të ardhmen.

Ajo thotë se nanat nuk bëjnë asnjë gabim që e shprehin entuziasmin e tyre duke i veshur e rregulluar fëmijët për fotot që do mbeten gjithmonë në kujtimet e familjes.

“Është e rëndësishme që një fëmijë nëse ka më shumë se gjashtë muaj dhe ushqehet me ushqime solide të mos e humb as rutinën e ushqimit të shëndetshëm. Shprehja: Hajt se është vetëm një natë! nuk vlen për fëmijët kaq të vegjël sepse ata do çrregullohen dhe kjo do të reflektojë të nesërmen kur ai do ketë nevojë për më shumë gjumë, do ndjehet i lodhur ka mundësi ta refuzojë ushqimin dhe kështu nuk do e ndjek rutinën e përditshme”, tha ajo.

Musa thotë se numri i madh i të ftuarve apo vizitat në shtëpinë e miqve për ta pritur ndërrimin e motmoteve janë të zakonshme dhe shumë të këndshme por sipas saj kujdes duhet kushtuar mënyrës se si e prezantojmë fëmijën me fytyra të reja.

“Unë e kuptoj dëshirën që natën e vitit të ri të mos e presim vetëm por të bëhemi bashkë me shumë familjarë dhe miq, këtu nuk ka asgjë të gabuar, nanat vetëm duhet ta kenë kujdes rutinën e bebes dhe si e futin fëmijën në mesin e familjarëve/ miqve. Këshilla ime është që asnjëherë të mos e  leni fëmijën me njerëz që ai nuk i sheh shpesh me idenë se ai do të mësohet më shpejtë ashtu, lejeni fëmijën njëherë vetëm të observojë situatën e pastaj le të qaset vet në raporte me të tjerët”, sugjeron ajo.

Sipas mamisë Razije Musa fëmijët sidomos ata që janë në vitin e parë të jetës nuk duhet ngarkuar me festime sepse ata më shumë kanë nevojë për rutinën e tyre, rehatinë dhe gjumin e rregullt.