Adem Rama

Këshillat e mjekut: Trajtimi i diabetit në Kosovë

Diabeti është një sëmundje kronike joinfektive shumë e përhapur në botë.

Edhe pse në Kosovë  nuk ka shifra të sakta se sa është numri i personave me diabet, sipas doktor Adem Rama, endokrinolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, 6 deri ne 7 për qind e popullatës vuajnë nga diabeti.

“Te kjo sëmundje kronike faktori kryesor është komponenta gjenetike. Ky është një faktor që nuk mundemi me ndiku. Ne faktorët i ndajmë në ato që mund të ndikojmë dhe ato që s’mund t’i ndikojmë. Trashëgimia nuk mund të ndikohet ndërsa faktorët e jashtëm. Obeziteti te diabeti i tipit 2 ku 75 për qind prej tyre janë obezë, ma vonë është ushqimi i shpejtë duke mos harruar edhe stresin. Ne kemi vërejtur te popullata jonë që pas luftës pacienti referon se nuk ka askënd në familje me diabet por atij i është paraqitë sheqeri, pra edhe komponenta e stresit ka ndikim në paraqitjen e diabetit”, tha Rama për KALLXO.com.

Doktori tregon se nuk është vetëm një lloj diabeti dhe se duhet ditur mirë specifikat e secilit lloj të diabetit për të trajtuar atë në mënyrë të saktë.

“Në përgjithësi në botë janë katër lloje të diabetit: diabeti tipit 1 që paraqitet te moshat e reja prej lindjes deri në 25-30 vjeçare; diabeti tip 2 që paraqitet në moshë mesatare dhe të shtyrë; diabeti i shtatzënisë dhe diabeti specifik, i cili varet nga sëmundje tjera për shembull te pacientët që përdorin kortikosteroide ose kanë operacione të pankreasit. Diabeti i tipit 2 që është më i përhapur; ky në fillim trajtohet vetëm me tableta e me kalimin e kohës një pjesë kalon në insulinë ndërsa një pjesë mbetet me tableta. Diabeti i tipit 1 apo insulinovartës mjekimi është vetëm me insulinë. Këta nuk guxojnë të trajtohen me tableta por janë të varur nga insulina. Diabeti në shtatzëni që është më e rrallë trajtohet me insulinë deri sa janë shtatzëne pas lindjes ose tërhiqet ose vazhdojnë me tableta”, tha ai.

Personat që kanë diabet janë të rrezikuar edhe nga sëmundjet tjera prandaj duhet një kujdes në trajtim dhe një jetë e shëndetshme për të parandaluar sëmundjet tjera.

“Një prej shenjave që kanë pacientët me diabet është shtimi i apetitit. Ata hanë më shumë por nuk shtojnë në peshë. Fiziologjikisht kur njeriu merr më shumë ushqim që është energji, pjesa dërmuese janë sheqerna, ai shton në peshë vetëm nëse nuk ka ndonjë sëmundje ndërsa te diabeti përveç urinimit të shpeshtë, pirjes së shumë të ujit është edhe ushqimi ku pacienti ha shumë por brenda muajit ka humbur 8- 10 kilogramë menjëherë, është alarm për me i ba analizat”, tha Adem Rama për KALLXO.com.

Doktori sugjeron të mos eksperimentohet me metoda të paprovuara shkencërisht dhe të kihet kujdes me marrjen e trajtimit të duhur.

“Shkenca botërore perëndimore tregojnë që diabeti i tipit 1 gjithsesi duhet të merret insuline; tipi dy vetëm me tableta dhe përcjellje strikte ma shumë te diabeti 1 për shkak të moshës së pacientit që të mos kemi komplikime më vonë dhe normalisht edhe diabetin e tipit 2 që njihet se diabeti që lajmërohet në pleqëri, humbja e kohës te diabeti kushton shumë”, tha Rama.