Dr. Defrim Koçinaj

Këshillat e Mjekut - Synetia, intervenimi kirurgjik dhe benefitet - VIDEO

Synetia është heqja kirurgjikale e lafshës së penisit dhe bëhet për arsye religjioze apo edhe shëndetësore.

Kështu thotë për KALLXO.com kirurgu i fëmijëve Defrim Koçinaj.

Sipas tij synetia si procedurë e pranueshme dhe me benefite të provuara shëndetësore daton prej qysh para pesë mijë vjetëve.

“Këto vitet e fundit ka filluar të ndryshojë qëndrimi në raport me atë se a ka nevojë djali të behët synet apo jo sepse janë parë benefitet e synetisë. Në botë llogaritet që çdo i pesti djalë është i bërë synet, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Lindjen e Mesme”, thotë ai.

Doktori thotë se shkaku kryesor mjekësor për të kryer synetin është fimoza e njohur si ngushtim i lafshës në mënyrë unazore e cila e mbulon komplet kokën e penisit dhe krijon pamundësi që fëmija të urinoj lirshëm duke sjellë kështu infeksione urinare.

“Benefitet janë të ndryshme, kryesore është parë që fëmija i bërë synet ka incidencë më të vogël të infeksioneve urinare 10 fish më të vogël. Dhe meshkujt në moshën madhore janë shumë herë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme në krahasim me ata që janë të bërë synet si janë sifilizi, gonorea, virusi i HIV-it, poashtu gratë e meshkujve që janë të bërë synet kanë mundësi për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës me një incidencë shumë më të vogël shkaku që nuk bartet papiloma virusi. Poashtu edhe kanceri i vetë penisi është me një incidencë më të vogël se sa te meshkujt që nuk janë bërë synet”, tregon ai.

Një numër i madh i prindërve në Kosovë insistojnë që të pritet sezona e verës për të kryer procedurën e synetisë. Por doktori thotë se në rastet kur mund të pritet nuk ka asnjë problem por ka raste që nuk mund të pritet dhe intervenimi i menjëhershëm është i domosdoshëm.

“Në raste tipike si është fimoza që manifestohet me infeksione me një nozologji që quhet balonopostit, ku kemi grumbullim të qelbit në mes të lafshës dhe kokës së penisit insistimi jonë si

profesionistë është që të rregullohet gjendja kirurgjikisht që të mos ketë përsëritje të gjendjes. Numri tjetër i rasteve kryesisht edhe ne i përshtatemi kërkesave të prindërve se megjithatë është një ritual dhe njerëzit kanë nevojë t’i presin edhe mërgimtarët”, sqaron doktori Koçinaj.

Ai thotë se temperaturat e larta sot nuk paraqesin rrezik për kryerjen e procedurës së synetisë në ditët të verës pasi që me një aklimatizim të duhur fëmija nuk përballet me rrezikun e ndonjë infeksioni. Ndërsa ua tërheq vërejtjen prindërve që të mos e kryejnë këtë procedurë jashtë spitaleve dhe njerëzve të thirrur për të kryer synetin.

“Jo vetëm berberët, por edhe njerëzit e tjerë që nuk janë të kualifikuar do të thotë ka edhe mjekë edhe infermierë që për çështje përfitimi material i kryejnë këto procedura. Unë apeloj që prindërit të jenë të kujdesshëm, sot është koha e internetit dhe është mirë me u informu se kujt ja besojnë fëmijën e tyre. Duhet së paku të jetë mjek i licencuar nga organet tona. Ekziston Ministria dhe Oda e Mjekëve, mjeku i licencuar ka licencë pune dhe përmes kësaj licence përcaktohet gama e operimeve që mund të bëjnë. Të jeni të kujdesshëm sepse kemi pasur raste kur pacientët kanë ardhur me komplikime bash nga kjo kategori”, tregon doktor Koçinaj.