Këshillat e Mjekut: Si të ruhen nga temperaturat e larta të sëmurit nga mushkëritë?

Një valë nxehtësie ‘afrikane’ ka kapluar EVropën këtë javë dhe paralajmërohet të vazhdojë gjatë tërë stinës së verës.

Temperaturat nuk kanë qenë të ulëta as në Kosovë duke bërë që kategori të ndryshme të njerëzve të kenë nevojë për kujdes të shtuar nga problemet që shkakton ky mot.

Temperaturat e larta gjatë verës përkeqësojnë gjendjen e të sëmurëve me sëmundje kronike dhe astma bronkiale, thotë për Kallxo.com, Pulmologia Rukije Mehmeti.

“Temperaturat e larta dhe dielli i fortë shkaktojnë rritjen e ozonit në ajër. Rritja e ozonit si dhe ndotja e ambientit ndikojnë dukshem në përkeqësimin e gjendjes së këtyre pacientëve”, thotë ajo.

Sipas doktoreshës ndikim ka edhe fakti që gjatë verës bëhet kositja e barishteve gjë që e bën edhe rritjen e nivelit të poleneve të cilat përkeqësojnë format alergjike të astmës.

“Kjo mund të manifestohet me kollë, fishkëllima në kraharor, zënie të frymës, lodhje, plogështi dhe pamundësi të kryerjes së aktiviteteve të përditshme”, thotë ajo.

Sipas doktoreshës temperaturat mbi 32 gradë celsius janë shumë të rrezikshme për këtë kategori.

“Nëse planifikoni të dilni jashtë atëherë kjo duhet të bëhet në orët e hershme të mëngjesit dhe orët e mbrëmjes” thotë doktoresha.

Sipas saj pacientët që kanë probleme me mushkëri duhet të i’u ikin vendeve me diell por nëse duhet patjetër të dilet jashtë doktoresha sygjeron përdorimin e veshjeve adekuate, kapelën dhe syzeve të diellit

“Gjatë temperaturave të larta pacientët këshillohen që t’u ikin përdorimit të substancave me kafeinë, pra kafeve poashtu pijeve energjike, çajit të zi, alkoolit dhe sheqernave sepse këto përkeqësojnë gjendjen edhe më tepër për shkak se ndikojnë në humbje të lëngjeve nga organizmi”, thotë Mehmeti.

Doktoresha sygjeron që të konsumohen sasi të mëdha të ujit edhe atëherë kur nuk ndjeni etje.

“Bëni dushe me ujë të vakët sa më shpesh,mbani vendin ku qëndroni të freskët.Ushqehuni normal, sidomos duhet të ketë sallata sa më tepër në ushqimin tuaj sespe ato përmbajnë sasi të mëdha të ujit”, thotë ajo.