Memli Morina, gjinekolog, obstetër. Foto: Kallxo.com

Këshillat e Mjekut: Shtatzënia dhe festat e fundvitit

Nata e Vitit të Ri është nata më e gjatë e vitit dhe në perceptimin e çdo njeriu konsiderohet si nata në të cilën duhet festuar, konsumuar llojllojshmëri ushqimesh e alkool vallëzuar me mysafirë.

Por nga disa shtatzëna këto konsiderohen si rrezik për gjendjen e tyre e disa të tjera kanë pyetje të tilla nëse guxojnë të konsumojnë pak alkool, thotë për KALLXO.com gjinekologu Memli Morina.

“Fillimisht duhet të themi se alkooli është i dëshmuar se është i dëmshëm për shtatzënat. Dihet se alkooli e kalon placentën dhe del te fryti, ne nuk jemi të sigurt se cila është sasia e lejuar mirëpo duke e ditur se kalon te bebja ne i themi ‘jo’. Pijet me gaz nuk rekomandohen të pihen nga ndonjë shtatzëne, mbetet të pihen ose lëngjet e frutave ose ndonjë koktel joalkoolik që mund të jetë me ngjyrë dhe ta jep ndjesinë e ritualit të cakërrimit të gotave mirëpo jo me një ujë të thjeshtë pa gaz mirëpo diçka më interesant”, thotë ai.

Sipas gjinekologut, kujdes duhet pasur edhe me ushqimin që shtatzëna konsumon gjatë kësaj feste, shumëllojshmëria e ushqimit dhe ngarkesa me të mund të kenë efekte negative.

“Tavolina plot me ushqime nuk duhet të jetë joshje për shtatzënën. Duhet ta ketë parasysh, ndonëse dallon nga muaji në muaj të shtatzënisë mirëpo në pjesën e dytë e tutje lukthi e ka një hapësirë gjithmonë e më të vogël kur mund të mbushet me ushqim dhe nëse teprohet në ditët në vijim mund të ketë probleme si urthi, problemet me stomak, me rrugë të tretjes, me jashtëqitje, me hemoroide e të tjera, prandaj është mirë që të jetë më e kujdesshme me ushqime. Kjo nënkupton ushqime të lehta në mënyrë që ditët në vijim mos të jenë shumë të zorshme”, tha ai.

Doktori thotë se ngarkesa me pije dhe ushqim nuk është e vetmja që mund të ketë ndikim negativ te shtatzëna. Sipas tij, kujdes duhet kushtuar edhe veshjes komode kur një grua shtatzënë vendosë t’i kalojë netët e tjera të festës jashtë shtëpisë.

“Nata e parë shumicën e herëve kalohet në ambient shtëpie, netët tjera mund të jetë bërë në plan që të shkojë dikur në net vallëzimi, në net solemne dhe në këto ceremoni pritet të shkohet me një veshje elegante. Veshja duhet të jetë sa më e rehatshme, shumica prej grave e ndien veten më komod në këpucë të rrafshta, këpucët me taka ngarkojnë kurrizin ndonëse disa orë nuk kanë ndonjë ndikim negativ, rekomandohet që eleganca e veshjes të plotësohet me detaje si një shall, një brosh e stoli që i japin një veçanti veshjes së shtatzënës”, tha ai.

Doktor Morina rekomandon që një grua shtatzënë të mos i marrë përsipër të gjitha obligimet për përgatitjet e festave të fundvitit. Sipas tij, ngarkesa fizike dallon varësisht nga numri i njerëzve për të cilët ajo përgatit por ai thotë se një grua duhet ta dëgjojë trupin e saj dhe të kërkojë ndihmë kur ka nevojë e të pushojë kur ndjehet e lodhur.