Këshillat e mjekut: Ndikimi negativ i fishekzjarrëve

Festat e fundvitit për disa familje mund të jenë edhe tragjike thotë për KALLXO.com, Avdush Bajgora mjek në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas tij, mjekët kanë pasur raste kur kanë tentuar të trajtojnë lëndimet por fatkeqësisht nga lëndimet e mëdha ka pasur raste edhe me fatalitet.

“Gjatë karrierës time të punës në Qendrën Emergjente ka pasur vite ku si rezultat i moskujdesit në përdorimin e mjeteve piroteknike kemi pasur rast që personat kanë përfunduar në fatalitet. Rastet më të shumta të lëndimeve gjatë këtyre festave janë humbja e gishtërinjve, lëndimet e ekstremiteteve të poshtme e të sipërme, lëndimet në fytyrë, lëndimet e syve dhe humbje të të pamurit, kështu që kisha apeluar te të gjithë ata që festat të mos kthehen në ditë të hidhërimit”, thotë doktor Bajgora.

Ai thotë se fëmijët nuk duhet të jenë afër hapësirave ku ndizen mjetet piroteknike dhe të mos lejohen t’i përdorin vetë ato.

Viteve të fundit, sipas tij, numri i të lënduarve ka rënë si rezultat i vetëdijesimit të popullatës.

“Apeloj që armët e zjarrit të mos përdoren dhe të jemi të kujdesshëm që viti që po e lëmë pas të mos të jetë i mirë si ka qenë deri më tani dhe viti i ardhshëm të na sjellë begati më të mëdha”, tha ai.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për të lënduarit nga përdorimi i mjeteve piroteknike për festat e fundvitit.