Dr. Memli Morina

Këshillat e Mjekut: Kolposkopia dhe diagnostikimi i kancerit të qafës së mitrës, trajtimi në Kosovë

Pjesa e mitrës e cila më së shpeshti preket nga sëmundjet malinje është qafa e saj.

Kur ‘pap testi’ jep një rezultat jo të mirë mjeku merr hapa të tjerë për të diagnostikuar pacienten. Përmes kolposkopit është e mundur që të zbulohen këto sëmundje malinje.

Gjinekologu obstetër Memli Morina tregon se si kryhet kolposkopia dhe rëndësinë e saj.

“Ky aparat quhet kolposkop, kolpo-vagina skopi –pamje. Ato gra te të cilat PAP-testi është pozitiv ato janë kontingjenti i grave te të cilat duhet të bëhet kolposkopia. Logjika e ekzaminimit është që të identifikohen vatrat e dyshimta që na kanë dal në pap-testin e bërë disa ditë apo javë më herët. Si ekzaminimi nuk është i rehatshëm sikur çdo ekzaminim gjinekologjik, mirëpo dhimbje nuk ka. Nënkupton vendosjen e spekullumit vizualizohet qafa e mitrës dhe përmes objektivit zmadhohet pamja dhe shihet çdo pjesë e qafës së mitrës”, thotë Morina.

Sipas tij kolposkopi i ka dy ngjyra që mundëson që të shihen enët e gjakut jo normale. Sipas doktorit në video kolposkop çdo gjë që sheh mjeku e sheh edhe pacientja.

“Ekzaminimi zgjat 10-15 minuta dhe nëse shihet ndonjë pjesë e dyshimtë duhet të merret ajo mostër e indit dhe aplikohet acidi acetik pasi që si thartirë që është bënë që qelizat e dyshimta të bëhen më të bardha dhe nga ajo vatër merret një copë indi që quhet biopsi në fakt nuk është e dhimbshme është vetëm një ngërç në fund të barkut”.

Doktori thotë se pas marrjes së mostrës masa dërgohet në histopatologji dhe pastaj nga rezultati shihet se a kemi të bëjmë me qeliza kancerogjene. Gjatë kolposkopisë mund të përdoret edhe metoda e LEEP që njihet si procedura e ekstezionit me lak elektrik.

“Lidhet me një aparat elektrik dhe pjesën e dyshimtë e heq me lak e para bëhet për diagnozë dhe e dyta vetë fakti që hiqet ajo copë e indit është edhe mjekim në shumicën e herëve nuk ka nevojë për trajtim shtesë përveç këtij”, thotë ai.

Procedura e kolposkopisë është e padhembshme, por jo e rehatshme dhe nuk paraqet asnjë rrezik për pacienten  por duhet të bëhet patjetër. Aparatura që sot ekziston bënë që të bëhet dokumentimi apo faktimi i rasteve.