Këshillat e Mjekut: Çka është Sarkopenia dhe si trajtohet ajo?

Rreth 12 përqind e popullatës së sotme në botë i takon grupmoshave 60 vjeç e tutje.

Vetëm në Europë rreth 24 përqind e popullatës i takojnë këtij grupi, ndërsa sipas Departamentit për Çështje Ekonomike dhe Sociale të Kombeve të Bashkuara kjo përqindje pritet të arrijë në 34 përqind deri në vitin 2050, thotë për KALLXO.com Arben Boshnjaku Fizioterapeut MSc Pt, MSc Sport Sci.

“ Rritja e vazhdueshme e numrit të njerëzve të moshuar në shoqëri paraqet një fenomen të ri dhe mjaft të studiuar sidomos kohëve të fundit. Për momentin, raporti i kësaj grupmoshe ndaj pjesës tjetër të popullatës është dukshëm më i lartë në vendet e zhvilluara, ndaj atyre në zhvillim. Megjithatë, sipas trendit momental, pritshmëritë janë që shpejtësia e plakjes në vendet me zhvillim të ulët dhe të mesëm të kalojë vendet e zhvilluara në një të ardhme të afërt. Duke u nisë nga klasifikimi i Kosovës si vend me të ardhura të mesme të ulëta nga lista zyrtare e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), pritshmëritë janë që së shpjeti numri personave mbi 60 vjeç të shtohet dukshëm edhe në vendin tonë” thotë ai.

Sipas Boshnjakut plakja paraqet një proces që studiohet nga shumë fusha kërkimore, duke u nisë nga mjekësia dhe kontekstet shëndetësore të saj, psikologjia e sociologjia, e deri te filozofia dhe ekonomia me përfshirjet ekonomike të plakjes.

“Ndryshimet që pëson trupi i njeriut gjatë plakjes janë nga më të ndryshmet, fiziologjike (ndryshime në përbërje), psikologjike (demenca/harresa, depresioni etj), sociologjike (mungesa e ndërveprimeve të vazhdueshme sociale), funksionale e patologjike. Njëra prej këtyre problemeve është edhe sarkopenia, e cila paraqet nje sëmundje që karakterizohet me masë dhe funksion muskulor të zvogëluar (forcë ose performancë muskulore). Sarkopenia shpesh definohet edhe si humbje degjenerative e masës muskulore, kualitetit dhe forcës, e shoqëruar për plakje” thotë ai.

Sipas Boshnjakut sarkopenia shfaqet shpesh si pasojë e gjendjes që karakterizohet me humbje të peshës, atrofi muskulore, lodhje, dobësi dhe humbje signifikante të oreksit tek një person që nuk po mundohet aktivisht të humbë peshë.

“Termi “sarkopeni” rrjedhë nga greqishtja: “sarx” muskul/mish dhe “penia” humbje, dhe është e regjistruar si sëmundje me kod të veçantë CD‐10‐CM – M62.84 nga viti 2016. Sarkopenia në shumicën e rasteve i prekë muskujt skeletorë, por studime të shumta janë realizuar edhe në ndikimin potencial të sarkopenisë në muskujt e zemrës dhe ata të lëmuar. Fatkeqësisht, në raste më të rralla ajo i prekë edhe këto dy grupe të tjera të muskujve. “ tha ai.

Grupi punues Europian për Sarkopeni për persona të moshuar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (EËGSOP) nga viti 2010 ka rekomanduar kriteret e veçanta diagnostikuese për këtë gjendje për popullatat europiane, përderisa tashmë janë vendosë edhe kriteret specifike për popullatën e Kosovës nga ekipa një ekipë hulumtuese pjesë e të cilës është edhe Fizioterapeuti Boshnjaku.

Boshnjaku thotë se ajo që  është shqetësuese për këtë sëmundje është se në shumicën e rasteve i prekë vetëm të moshuarit, e në raste më të rralla edhe pacientët që vetëm se kanë gjendje të tjera shëndetësore të sistemit muskuloskeletor zakonisht pacientët e hospitalizuar për periudha të zgjatura dhe pacientët me disa lloje të kancereve.

Problemi kryesor i saj është se shkakton humbje të funksionalitetit për kryerjen e aktiviteteve të jetës së përditshme, duke shpjerë në paaftësi të përgjithshme të pacientit, ndërsa thotë se ekzistojnë disa faktorë që mund të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së njerëzve me sarkopeni, ku të pasurit e një jete fizikisht sa më aktive padyshim përbën kryesorin.

“ Njerëzit me aktivitet fizik më të lartë përgjatë tërë jetës, i kanë dukshëm më të vogla gjasat për shfaqjen e saj. Në anën tjetër, edhe pas shfajes së sëmundjes, programet specifike të ushtrimeve e përmirësojnë kualitetin e jetës dhe vrazhdësinë e sëmundjes. Këto programe ushtrimesh duhet domosdoshmërisht të përfshijnë: ushtrimet e rezistencës (për gjenerimin e forcës muskulore), ushtrimet aerobike dhe të fleksibilitetit (për gjenerimin e qëndrueshmërisë dhe potencialisht fleksibilitetit) dhe ecjet e rregullta. Ndërhyrjet nutritive përfshijnë furnizimin e organizmit me sasitë e nevojshme proteinike, të vitaminës D, acideve të ngopura yndyrore (omega-3) dhe kreatinës.” thotë Boshnjaku.