Këshilla: Temperaturat po rriten, kujdes me ushqimin!

Ka qenë 25 maji vitit 2016 kur 34 studentë në Gjakovë ishin helmuar me salmonella pasi që ishin ushqyer në konviktin “Sadik Stavileci”.

Sipas ekspertëve të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik në atë kohë në mostrat e ushqimit ishte izoluar bakteria Salmonela Enteriditis e cila shkakton probleme gastroenterologjike.

Këtë vit Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kërkon nga qytetarët që të kenë kujdes me ushqimin pasi që me rritjen e temperaturave rritet edhe rreziku i paraqitjes së helmimeve të tilla.

“Temperaturat po ngriten! Kujdes gjatë gatimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit”, është paralajmërimi qw ka bwrw IKSHPK.

Nga ana tjetër, nutricionistja Diola Dosti Baftiu thotë për KALLXO.com se gjatë verës preferohet që të largohemi nga ushqimet që janë të prirura të prishen lehtë. Sipas saj, është shumë me rëndësi që në temperatura të larta të mos e ngarkojmë organizmin me yndyrna dhe ushqime të përpunuara.

Diola Dosti Baftiu

“Në stinët e ngrohta është e rëndësishme të konsumohen frutat dhe perimet sipas sezonit. Natyra i ka bërë të tilla këto fruta që të jenë të pasura me shumë ujë për të hidratuar trupin. Mbi të gjitha ato kanë edhe fibra që ndihmojnë në tretjen dhe ruajtje të balancës së mikrobiomës”, tha Dosti Baftiu.

Ajo thotë se është e rëndësishme që gjatë kësaj kohe të matet niveli i vitaminës D pasi që kjo vitaminë ka rol kyç në funksionimin normal të trupit.

“Të konsumohet më shumë peshk dhe kërpudha, produktet e detit të konsumohen afër burimeve natyrale të saj, gjithashtu edhe probiotikët si kosi dhe kefiri janë miqtë më të mirë të stomakut”, tha Dosti Baftiu.

Dosti Baftiu rekomandon që të merren sasitë adekuate të ujit pasi që hidratimi ka një rol të jashtëzakonshëm pasi që trupi në përmbajtje është 70 përqind ujë.

https://kallxo.com/salmonella-helmoi-studentet-ne-gjakove/