Këshilla nga nutricionistja: Si duhet të ushqehemi në ditën e Bajramit (VIDEO)
Benefitet e agjërimit janë të shumta pasi që organizmi pushon nga ushqimet duke e bërë kështu çdo qelizë të rigjenerohet, por rikthimi në rutinën e përditshme dhe ardhja e festës së Bajramit menjëherë pas një periudhe 30 ditëshe të privimit nga ushqimi mund ta rëndojë organizmin nëse nuk i kushtohet kujdes ushqimit, thotë për KALLXO.com, nutricionistja Diola Dosti Baftiu.
“Ajo çfarë i ndodhë organizmit tek ata individë që zhyten në karbohidrate në ëmbëlsira, mishra të kurbanit që bëjnë është njësoj sikur të mbash një dietë për një muaj dy apo tre dhe pastaj të fillosh regjimin e mëparshëm ushqimor, jo vetëm se e dëmton organizmin por edhe merr kilogramë më tepër. Unë preferoj të fillohet me gjëra që janë më të lehta duket sikur qelizat kanë nevojë që të rizgjohen por duhet të bëhet kjo me delikatesë. Do të preferoja që dreka të ketë sallata, sallata jeshile, rukola, spinaq, perime të cilat janë qoftë edhe të pjekura edhe të bëra në avull, një supë me perime do të ishte shoqëruese fantastike. Nuk mund të them mos e konsumoni mishin por le të jetë me sasi të caktuar dhe mundësisht të jetë i zier, t’i ikim goditjeve që mund të marr mëlçia jonë”, thotë Dosti Baftiu
Duke e ditur se festa e Bajramit shoqërohet me shumë ëmbëlsira atëherë nutricionistja thotë se duhet kushtuar kujdes mënyrës se si i qasemi këtyre ushqimeve tërheqëse por jo të shëndetshme për organizmin e njeriut.
“Një problem tjetër është pjesa e konsumimit të karbohidrateve, ëmbëlsirave por mendoj që kur të shkojmë për vizitë të provojmë një pjesë të vogël dhe patjetër që kemi një gotë ujë me limon të shtrydhur, le të shërbejë si një lloj detoksi, pra në sasi të vogla, ëmbëlsirat bëjnë dëm por në anën tjetër duhet të shërbehet me ujë me limon dhe mos e teproni nuk është turp të thuash sot se nuk dua ta konsumoj këtë ëmbëlsirë”, thotë ajo.