Në foto, Lapidar Lladrovci, kapiteni i Feronikelit

Kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci, e paralajmëron Prishtinën

E mërkura do të jetë ditë e veçantë për dashamirët e futbollit, pasi që në stadiumin “Fadil Vokrri” do të ndeshen Prishtina e Feronikeli.

Loja luhet nga ora 17:00, e vlefshme për xhiron e 21-të në Superligën e Kosovës.

Secili rezultat në ndeshjen e nesërme do ta ketë rëndësinë e veçantë, pasi Feronikeli udhëheq Superligën me 48 pikë, pesë më shumë se Prishtina.

Fitorja do të konfirmonte një hap drejt titullit për skuadrën nga Drenasi. Kurse humbja apo barazimi për Prishtinën do të ishte e rëndë, pra të dy skuadrat nesër si opsion më të mirë e kanë fitoren.

KALLXO.com ka kontaktuar kapitenin dhe qendërmbrojtësin e Feronikelit, Lapidar Lladrovcin, për ta pyetur për ndeshjen e nesërme.

Lladrovci ndeshjen me Prishtinën e cilëson si njërën prej më të rëndësishmeve për këtë sezon, pasi luajnë me rivalin direkt për titull.

“Ndeshja me Prishtinën është njëra nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit për ne, ngase luajmë me rivalin direkt për titull. Një fitore eventuale do të na shkëpuste me 8 pikë në krye të tabelës, ndërsa edhe barazimi nuk do të ishte i keq, pasi do na mbante 5 pikë para. Megjithatë ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, andaj edhe kjo ndeshje ka rëndësinë si ajo me KEK-un, pra luhet për 3 pikë”, tha qendërmbrojtësi i klubit nga Drenasi.

Tutje qendërmbrojtësi i Niklit beson që ndeshje e nesërme në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë fantastike dhe do të kënaqen tifozët me lojën e treguar nga të dy ekipet.

“Do të jetë një ndeshje e bukur, pasi kushtet në stadiumin “Fadil Vokrri”, janë fantastike ku terreni do të na lejojë të tregojmë gjithë potencialin tonë. Besoj se të gjithë tifozët do të kënaqen me lojën që do të tregojmë, jemi shumë të motivuar dhe mezi e presim fillimin e ndeshjes”, ka potencuar lideri i Feronikelit.

Lladrovci i pyetur nga Kallxo.com se a do të ndikojnë mungesat e Prishtinës në lojën e nesërme, është shprehur se një ekip që ka pretendime për titullin e kampionit duhet ta ketë edhe bankën rezervë me lojtarë kualitativë.