Ilustrim

Kafeja që ju mban zgjuar 3 ditë rresht

Një kafene në Australi ka nisur të bëjë një kafe për ata që zgjohen me vështirësi në mëngjes. Sipas “Mashable”, kjo kafe që quhet “The Adelaide Ass-Kicker” është më e forta në botë.

Pse? Sepse ka ekuivalenten e 4 kafeve ekspres dhe 8 kuba me kafe të akullt, që secila është si të pish 2 kafe ekspres.

Në total, kjo “pije-bombë” ka 5 gramë kafeinë ose 80 herë më shumë sesa një filxhan kafe e thjeshtë.

Për ta pasur më të qartë se sa e fortë është kjo pije, duhet të dini se 10 gramë kafeinë konsiderohet një sasi vdekjeprurëse.

Steve Bennington, pronari i kafenesë ku shërbehet kjo kafe (Viscous Coffee), tha se bëhet fjalë për një pije që duhet konsumuar shumë ngadalë, përgjatë disa orëve ose edhe ditëve.

Kafeja është ideuar për një infermiere që duhet të rrinte zgjuar për turnin e tretë. Pasi e piu këtë kafe, ndenji zgjuar 3 ditë rresht.

Sigurisht që një pije e tillë është e rrezikshme, sidomos për ata që kanë probleme shëndetësore.

Menyja e kafenesë paralajmëron të gjithë ata që kanë tension të lartë ose probleme me zemrën që të mendohen dy herë para se ta porosisin.

Ndryshe, rekomandohet që një person të mos marrë më shumë se 200 mg kafeinë në ditë.