Jose Mourinho gjen punë në Rusi

Ish trajneri i shumë skuadrave evropiane Jose Mourinho, i cili në dhjetor të vitit të kaluar u shkarkua nga Manchester United, ka gjetur punë si analist i ndeshjeve të Champions League në televizionin shtetëror rus.

Programi i tij do të shfaqet dy herë ne javë dhe do të quhet ‘On the touchline with Jose Mourinho’, ku portugezi do të ofrojë analizat e tij për ndeshjet e Champions League duke filluar nga 7 marsi.

“Unë do të flas për futbollin në RT. Çfarë tjetër mendoni se do të bëja unë?”, thotë Mourinho në një video promovuese të filmuar në një fushë të hokejit, të postuar në Twitter nga RT Sports.

Sipas britanikes Mirror, RT e cila transmeton lajme në gjuhën angleze, arabe dhe spanjolle, thotë se synon të ofrojë një pamje alternative për atë që e përshkruan si media e zakonshme perëndimore dhe për të njohur shikuesit me perspektivën e Rusisë në çështjet aktuale.

Mourinho kishte punuar edhe më herët në RT Sports, gjatë Kupës së Botës të vitit të kaluar kur komentoi ndeshjet e luajtura.