Josa: Është turp që të nënvlerësohet një skuadër e futbollit kosovar

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, pas fitores ndaj Ballkanit me rezultat prej 2-0, ka thënë që në këtë ndeshje Ballkani ka ditur si të mbrohet dhe si të sulmoj nga krahët.

Ai ka thënë se me fitimin e ndeshjes së sotme e kishte merak që skuadra të shkonte në pushim me fitore.

“Ne nuk duhet që t’i quajmë të gjitha gjërat ideale. Në asnjë klub nuk shkon çdo gjë mirë. Fitimin e këtij takimi e kisha shumë merak pasi që skuadra shkon në pushim dhe vinte nga një ndeshje shumë e vështirë nga Feronikeli. Ndaj Feronikelit kemi mundur të dalim edhe barazim. Ballkani ka treguar se di se si të mbrohet dhe të sulmojë”, deklaroi Mirel Josa për “Super Sport Kosova”.

Trajneri 55-vjeçar nga Tirana, tha se skuadra e tij në këtë ndeshje nuk kishte asnjë dozë nënvlersimi, pasi Ballkani ia bllokoi krahët.

“Nuk kishe asnjë dozë nënvlerësimi nga Prishtina, por Ballkani na bllokoi krahët, Thaqin dhe Aragon. Është turp që të nënvlerësohet një skuadër të futbollin kosovar”, potencoi ai.

Prishtina pas 15 xhirove qëndron lidere në tabelë me 36 pikë.