Foto/KALLXO.com

Historia e prodhimit të bozës nga familja Pula në Prizren

Idris Pula 50 vjeçar nga Prizreni nuk mban mend të ketë punuar tjetër profesion përveç atij të fermentimit të pijes antike, bozës.

Foto/KALLXO.com

Famija e tij, prej 80 vjetësh kanë trashëguar gjeneratë pas gjenerate këtë zanat.

“Unë e kam marrë prej babës zanatin edhe e prodhoj qysh e ka bo baba, tash po ka shumë lloje të bozës, bile edhe në sasi të mëdha, por unë kam vendos që ta mbajë recetën e vjetër që e kam marrë prej babës dhe të gjithë janë të kënaqur”, tregon ai.

Në dyqanin, i cili gjendet  në këndin afër shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, ata, përveç bozës shesin edhe limonadë, ndonëse në të kaluarën kishin shitur edhe ëmbëlsira të ndryshme.

Foto/KALLXO.com

Pula ka treguar se boza në vende të ndryshme mund të bëhet prej misrit, thekrës dhe grurit, ndërsa në Kosovë, kryesisht vetëm nga misri.

“Ne në Kosovë e bëjmë prej misrit e më shumë pihet verës për dallim nga Turqia dhe Bullgaria ku pihet gjatë dimrit sepse është më e dendur. Te na është ma e hollë”, ka rrëfyer Pula.

Ai thotë se  procesi i bërjes së bozës është shumë i gjatë.

“Duhen gjashtë orë që të zihet, pastaj duhet të lihet që të ftohet e pastaj fillon hollimi i pijes, pas hollimit duhet të qëndrojë një ditë të tërë, fillimisht boza punohet pa sheqer e  vetëm pas dy ditësh duhet të dalë në shitje kur edhe ëmbëlsohet”, thotë Pula.

Ai po ashtu, ka treguar se në qytetin e Prizrenit, ndër vite është pakësuar numri i prodhuesve të bozës.

“Tash në Prizren janë vetëm gjashtë ose shtatë prodhues të bozës”, tregon ai.

Foto/KALLXO.com

“Unë e kam marrë prej babës zanatin edhe e prodhoj qysh e ka bo baba, tash po ka shumë lloje të bozës, bile edhe në sasi të mëdha, por unë kam vendos që ta mbajë recetën e vjetër që e kam marrë prej babës dhe të gjithë janë të kënaqur”, tregon ai.

Çdo ditë, kjo familje bën diku 100 deri në 250 litra bozë, të cilat më pas i shesin për 30 cent një gotë ose 1 euro një shishe një litër e gjysmë.

“Boza në dyqanin tim qëndron dy ditë pas fermentimit sepse mendoj se aq mund të qëndrojë e freskët, pastaj merr një shije më të ithët”, thotë ai.

Pula shton se nuk është i sigurt nëse djali i tij, Mustafai do ta trashëgojë zanatin sikurse gjeneratat e tjera.

Foto/KALLXO.com

Nuk jam i sigurt, ai duhet të vendosë vetë, tash është në universitet dhe jam vetëm në dyqan, mendoj se duhet të vendosë vetë për këtë gjë”, ka shtuar Pula.

E ndër të tjerash, Pula na tregoi se deri më tash ka jetuar shumë mirë me këtë biznes.

“Familja ime nuk ka luks, por jetojmë shumë mirë me të ardhurat nga ky dyqan. Më herët kam pasur më pak shitje ndërsa dy vitet e fundit më duket se e kanë kuptuar se boza është pijë shumë e mirë”, vazhdon rrëfimin ai.

Pula, gjatë qëndrimit tonë në Prizren, nuk na ka lejuar të shohim procesin e fermentimit të pijes.

Foto/KALLXO.com

“Jemi në dyqan, këtu e shesim, i gjithë procesi kryhet në shtëpi dhe nuk mendoj se duhet të ju tregoj atë pjesë”, thotë ai.

Biznesi filloi me emrin “Novi Sad” nga babai i Idris, Bajram Pula, në vitet 1960, pasi u kthye nga Vojvodina në Serbi, ku punoi në një dyqan ëmbëlsirash. Ata filluan të shesin ëmbëlsirat e modës së vjetër së bashku me bozën. Tash emri i dyqanit ka ndryshuar nga “Novi Sad” në “Boza”.

Boza është pije me prejardhje nga Turqia, që daton nga periudha otomane ku kishte pasur më shumë se 300 dyqane në Stamboll. Kjo pije sot konsumohet në Turqi, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bullgari, Romani e Bosnje dhe Hercegovinë.

Foto/KALLXO.com