Foto: Kallxo.com

Hekuran Kryeziu: Shkojmë për tri pikë në Maltë

Mesufshori i kombëtares së Kosovës, Hekuran Kryeziu, ka folur për media pas seancës së tretë stërvitore që po i mbajnë “Dardanët” në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kryeziu ka thënë që loja ndaj Maltës nuk do të jetë e lehtë, mirëpo ata do të shkojnë atje për tri pikë dhe se janë favoritë në grup.

“Lehtë nuk ka me qenë loja, po na shkojmë për tri pikë. Duhet me e krye punën tonë, nuk duhet me e shikuar se çka bën Azerbajxhani edhe nëse e kryejmë ne punën tonë është finalja në Prishtinë të martën. Por ne më së pari duhet t’i shikojmë punët e tona edhe shkojmë për tri pikë edhe besoj që tashti në dy lojërat e fundit mund të themi që jemi favorit në këtë grup”, ka thënë fillimisht mesfushori i Zurich.

Tutje Kryeziu ka thënë se i mirëpresin lojtarët e rinj në skuadër së bashku me stafin e Kosovës dhe është i gëzuar që Kryeziu, Demhasaj e Arjnet Muric e kanë përzgjedhur Kosovën.

“Mua më vjen mirë për çdo lojtar që vendos të luaj për Kosovën. Ne lojtarët si gjithë stafi i presim mirë. Unë dy lojtarë prej tyre i njohë se kam luajtur bashkë me ta në Zvicër, edhe unë kam thanë fjalë të mira për përfaqësuesen tonë, por në fund secili lojtar vendos se për cilin shtet ka qejf të luajë .Unë jam gëzuar që kanë vendosur për Kosovën dhe normal që rritet konkurrenca.  Konkurrenca na bën edhe neve ma të fortë, të gjithë lojtarët e rinj i kemi pritur mirë.  Lehtë nuk ka me qenë, por  na e quajmë veten tashti si favorit, ne nuk shkojmë atje për barazim por për fitore. A na del ashtu e shohim të shtunën në mbrëmje”, ka potencuar Hekuran Kryeziu.

Malta- Kosova luan të shtunën prej orës 18:00, në Maltë, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën e Kombeve.