Hashani e Sermaxhaj analizojnë xhiron e 12-të të Ipko Superligës

Të premten dhe të shtunën zhvillohet xhiroja e 12-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Tri ndeshje zhvillohen të premten ndërsa tri të shtunën.

Kjo xhiro sjell disa ndeshje interesante si Trepça ’89- Feronikeli dhe Gjilani- Prishtina, ndërsa Drita pritet të ketë punë të lehtë ndaj KEK-ut.

Se kush pritet të triumfojë në këtë xhiro, a mund të ndalen Feronikeli e Prishtina, t’i afrohet Drita kreut të tabelës dhe a ka fuqi që Llapi të rikthehet te fitoret, KALLXO.com ka pyetur analistët e futbollit Genc Sermaxhaj dhe Erdin Hashani.

Analisti i futbollit Genc Sermaxhaj ka thënë për KALLXO.com se  xhiroja e 12-të sjell ndeshje interesante dhe të rëndësishme për kreun e tabelës dhe për fundin e saj.

“Xhiroja e 12-të presim të sjell ndeshje të rëndësishme dhe interesante të cilat do të sjellin po ashtu edhe ndryshime në renditje tabelare, qoftë atë në krye, apo në fund të saj. Nuk ka ndeshje të lehta, madje asnjë ndeshje në lojën e futbollit nuk duhet të cilësohet ose të vlerësohet e lehtë, sepse secili ekip mund ta mposht njëri-tjetrin nëse ekipi nuk është i disiplinuar në detyrat e lojës”, ka potencuar Sermaxhaj.

Genc Sermaxhaj ka thënë se në këtë xhiro Feronikelin dhe Prishtinën e presin udhëtime të vështira me kundërshtarë të papërshtatshëm. Por ai këto dy ekipe i konsideron si ekipe cilësore të cilat kanë kapacitet të luftojnë për titullin kampion. Ai ka thënë se në këto dy ndeshje ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës dhe Trepçes ’89- Feronikelit, do të vendosin detajet e vogla, si koncentrimi në momente të caktuara të lojës.

“Sikurse Feronikeli dhe Prishtina kanë udhëtime të vështira me kundërshtarë të papërshtatshëm të cilave po u luhatet mënyra e lojës nga ndeshja në ndeshje.  Feronikeli dhe Prishtina janë ekipe cilësore, kanë arritur formën e dëshiruar dhe janë ekipe të cilat konkurrojnë për titullin kampioni. Ekipet si Gjilani e Trepça ’89 po befasojnë me paraqitjet e tyre ndaj kundërshtarëve të mëdhenj. Edhe ndaj Feronikelit, respektivisht Prishtinës, pritet përballje e fortë ku mund të vendosin detajet e vogla, apo moskoncentrimi në momente të caktuara në lojë. Për këto gjëra duhet një zgjedhje e mirë e lojtarëve startues nga trajnerët të cilët në bazë të kundërshtarëve  të zgjedhin futbollistët dhe mënyrën e lojës”, ka thënë Sermaxhaj për KALLXO.com.

Ish-futbollisti i disa klubeve, Genc Sermaxhaj ka thënë se Drita po rikthehet te forma e saj që e ka pasur dikur dhe nuk është befasi nëse gjilanasit luftojnë për titull. E për Llapin ai ka kritika dukë thënë se për ta fituar titullin duhet që një klub të jetë shumë serioz prej fillimit deri në fund.

“Gjithashtu Drita po tregon tani formën e saj që ka pasur dikur, po rikthen dinjitetin e saj tek tifozët dhe gjithë ata që e rrethojnë klubin, sepse me fitoret e fundit është ngjallur dhe pritet që fuqishëm të hyjë në garë për mbrojtjen e titullit.  Ndoshta për dikë është e vështirë, por duke parë formën e tanishme dhe lojtarët që ka, them se do të jetë sërish konkurrente e denjë për kreun e tabelës. Llapi ka pasur disa probleme, që mund të ndikojnë në vazhdimin e këtyre xhirove të mbetura. Është një ekip që në vitet e fundit është lartë, por kur dëshiron me çdo kusht të dalësh kampion asnjëherë nuk e arrin atë. Të dalësh kampion duhet të mendosh si kampion, duhet të jesh i përgatitur profesionalisht nga krerët deri tek ai që mbyll derën e  stadiumit, prandaj duhet të shtohet më shumë përgjegjësia për vendimmarrje të drejta e profesionale. Në Llap ka lojtarë kampion që e dinë rrugën, por duhet një udhëheqje profesionale e që nuk po e shohim. Llapi do të vazhdoj të mbetet sërish lartë në tabelë”, ka përfunduar Sermaxhaj.

Genc Sermaxhaj

Ndërsa analisti tjetër Erdin Hashani, ka potencuar se në fillim të fazës së dytë do të kemi ndeshje interesante.

Ai ka thënë se përballja mes Trepçës ’89 dhe Feronikelit pritet të jetë interesante, por vendasit do ta kenë vështirë t’i shkaktojnë humbje Feronikelit, pasi mysafirët kanë skuadër më cilësore.

Hashani për ndeshjen Gjilani-Prishtina thotë se do të jetë ndeshje interesante, pasi për të dy ekipet fitorja është jetike për kreun e tabelës.

“Në fillim të fazës së dytë kemi ndeshje interesante. Përballja mes Trepçes ’89 dhe Feronikelit, pritet të jetë interesante për arsye se Feronikeli u njoftua me humbjen e parë, ndërsa Trepça ’89 pas 11 xhirove ka treguar lojë të bukur. Do të jetë një ndeshje interesante, do ta shikojmë se a ka qenë rastësi humbja e Feronikelit në xhiron e kaluar, apo Trepça ’89 do t’ia shkaktojë humbjen e dytë radhazi”, thekson Hashani.

Sipas tij, Trepça ’89 do ta ketë tepër të vështirë që t’ia shkaktojë humbjen e dytë, për arsye se Nikli ka skuadër me cilësore.

“Sa i përket ndeshjes Gjilani – Prishtina, edhe kjo ndeshje pritet të jetë interesante. Gjilani vjen e motivuar pas fitores kundër Feronikelit, ndërsa Prishtina kundër KEK-ut, plus kësaj Gjilani do ta ketë motiv shtesë, sepse kur luan ndaj Prishtinës është më ndryshe se sa ndeshjet e tjera. Gjilanit i duhet që në këtë takim mos të dalë i mposhtur, nëse mendon ta kap kreun e tabelës, ndërsa sa i përket Prishtinës çdo rezultat tjetër përveç fitores është një hap mbrapa për të synuar titullin e Kampionit që është prioritet tek ta”, ka potencuar Erdin Hashani.

Hashani thotë se Drita dhe Llapi duhet të luajnë të dy ekipet për fitore kundër KEK-ut dhe Drenicës, pasi çdo rezultat tjetër do t’i lërë mbrapa për garën për titull.

“Tek Drita po vërehen që ndryshimet e fundit kanë dalë të jenë shumë pozitive dhe të domosdoshme, po vërehet dora e trajnerit tani me këto tri fitore radhazi, po ashtu edhe ndryshimet në formacion. Një dështim ndaj KEK-ut, ato tri fitoret radhazi më nuk kanë vlerë, sepse në çdo aspekt është më superiorë dhe ka kualitet më shumë se KEK-u.  Sa i përket Llapit që luan kundër një Drenice që këto 11 xhiro e kanë bërë futbollit më të bukur bashkë me Feronikelin, një Drenicë që si brenda edhe jashtë luan futboll të hapur. Sa i përket Llapit edhe pse kanë pasur probleme këto kohë brenda klubit, do ta ketë vështirë kundër Drenicës, por një skuadër si Llapi që ka bërë ndryshime në shtabin teknik për rezultate më të mirë, atëherë kundër Drenicës i duhet t’i marrë tri pikë, e jo të shkojë për barazim”, ka thënë Erdin Hashani.

Ish-futbollisti Hashani thotë se ndeshja ndërmjet Ferizajt dhe Flamurtarit është ndeshje që luhet për t’i ikur barazhit për të dy ekipet. Ai mendon edhe për ndeshjen Ballkani – Liria, skuadra këto që janë në fund të tabelës e që qëllim e kanë ikjen nga barazhi.

“Ferizaji – Flamurtari një ndeshje që ferizajasit i duhet vetëm fitorja edhe pse këto ndeshjet e fundit po ka shumë lëshime, sado që po luan bukur, por rezultatet po i mungojnë. Sa i përket Flamurtarit në këto pesë ndeshjet e fundit nuk ka arritur të marrë asnjë fitore dhe e pret një udhëtim i vështirë, po me një rezultat pozitiv Flamurtari do të ishte i lumtur, pasi objektiv e ka që të i ik zonës së barazhit.  Ballkani – Liria është një ndeshje që do të përballen skuadrat që janë nga fundi i tabelës, një Ballkan që do të mundohet t’i ikë zonës së barazhit, kundër një Lirie e cila do të luftojë deri në fund që mos të bie nga liga”, ka cekur Hashani për KALLXO.com.

Erdin Hashani

Ferizaji- Flamurtari, KEK-u- Drita dhe KF Ballkani – Liria, zhvillohen të premten prej orës 13:45. Kurse të shtunën zhvillohen ndeshjet: Drenica – Llapi, Gjilani- Prishtina dhe Trepça ’89- Feronikeli nga ora 13:45.

Orari i ndeshjeve për xhiron e 12-të në Ipko Superligen e Kosovës