Griezmann prezantohet te Barcelona, synon t’i fitojë të gjithë trofetë (VIDEO)

Antoine Griezman sot është prezantuar te Barcelona, pas transferimit nga Atletico Madrid për 120 milionë euro.

Francezi ka treguar se është i lumtur iu është bashkuar Barcelonës dhe shpreson t’i fitojë të gjithë titujt e mundshëm me blaugranët.

“Jam shumë i lumtur që unë dhe familja ime do të jetojmë në një qytet kaq të bukur dhe historik si Barcelona. Kjo do të jetë një sfidë e re dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin të fitojë La Ligën, Copa del Rey dhe Champions League”, ka thënë francezi i entuziazmuar.

Ai ka treguar arsyen se përse nuk është transferuar në verën e kaluar te Barca.

“Pse nuk erdha verën e kaluar. Ishte çështje familjare, ky ishte viti i duhur. Kam kaluar vite të mrekullueshme në Atletico Madrid. Gjithmonë kam dhënë 100% për atë klub, edhe në sezonin e kaluar”, ka shtuar ai.

Kampioni i Botës me Francën i ka thurur elozhe Lionel Messit.

“Messi? Do të jetë një nder i madh të luaj përkrah tij, ai është LeBron James i futbollit. Ai gjithmonë ka qenë idhulli  im. Pozicioni im? Mund të luaj kudo, në të djathtë, në të majtë apo në qendër. Pozicionin tim e vendos trajneri Valverde”, ka përfunduar ish-sulmuesi i Atletico Madridit.

Griezmann ka nënshkruar kontratë pesë vjeçare me Barcelonën dhe klauzola e tij e largimit e vendosur nga Barca është 800 milionë euro.