Gjykimi moral i terroristëve provohet me test psikologjik

Një projekt që synon që shkencëtarisht  të kuptohet gjendja mendore e terroristeve ka publikuar të dhëna të cilat sipas shkencëtarëve mund të ndikojë në parandalim të terrorizmit.

Hulumtuesit kanë punuar me një grup prej 66 ish-luftëtarëve të burgosur  nga një grup terrorist paramilitarë në Kolumbi, një shtet me numrin më të madh të kryengritjeve në botë.

Ky eksperiment unik ka zbuluar një sistem ‘anormal të gjykimit moral’ tek terroristët.

Shkencëtarët thonë se një rezultat psikologjik i bazuar në këtë test mund të jetë një mënyrë e saktë për të bërë dallimin në mes të mendjes së një terroristi dhe atë të një jo-krimineli.

Hulumtuesit me bazë në Argjentinë, SHBA, Kolumbi dhe Kili kanë publikuar të gjeturat e tyre në revistën “Nature Human Behaviour”.

Agustin Ibanez dhe Adolfo Garcia nga Universiteti i Favaloro në Buenos Aires që ishin pjesë e një ekipi ndërkombëtar hulumtues, thanë për BBC-në që kanë kaluar katër vite duke punuar me organet e rendit të Kolumbisë që të sigurojnë leje për të punuar me këtë grup të madh të terroristëve të burgosur dhe të rrezikshëm.

Pjesëmarrësit në studim ishin ish-anëtarë të grupeve paramilitare të krahut të djathtë, secili prej tyre të dënuar për vrasje.

Shumë prej tyre kanë qenë të përfshirë në masakra me qindra viktima.

Ata kanë marrë pjesë në një seri të testeve psikologjike, duke përfshirë vlerësimin e njohurive morale.

Në këtë projekt, subjekteve të hulumtimit i janë prezantuar një seri skenarësh në të cilat personazhet me qëllim ose aksidentalisht i lëndojnë të tjerët.

Secili subjekt pastaj është pyetur që ta vlerësojë skenarin prej numrit 1 që do të thotë absolutisht e ndaluar deri të numri 7 që do të thotë absolutisht e lejuar.

“Përgjigja e zakonshme do të duhet të ishte që lëndimi me qëllim është më i dënueshëm se ai aksidental. Mirëpo përgjigjet tek terroristët ishin plotësisht të kundërta”, tha Doktor Ibanez.

Sistemi që u zbulua nga ky studim ishte se “terroristët ekstremë i gjykojnë veprimet e të tjerëve duke u fokusuar në rezultatet e veprimeve të tyre në vend se qëllimet e veprimeve”.

Ky është studimi i parë që demonstron këtë veti psikologjike  dhe sugjeron që kodi moral i një terroristi në fakt aprovon çfarëdo veprimi nëse kontribuon në arritjen e qëllimit që është dhënë.

 

Aftësi njohëse brutale

Hulumtuesit shpresojnë që përfundimet nga ky studim mund të ndihmojnë në ndërtimin e një profile psikologjik për përdorim në forenzikë dhe sundim të ligjit.

Por, sipas tyre, hulumtime të mëtejme do të duhet që specifikisht të studiojnë sa është e parashikueshme kjo masë e njohjes morale kur vjen te puna e ‘identifikimit të individëve të rrezikshëm kryengritës”.

Ata gjithashtu theksuan se ka mundësi të ketë ndryshime në origjinën dhe vetitë psikologjike në forma të ndryshme të terrorizmit .

“Për shembull, në popullatën që e kemi studiuar, religjioni nuk duket se është një faktor relevant.[Në fakt], shumica e ish-luftëtarëve në Kolumbi iu bashkuan grupeve paramilitare për arsye ekonomike, sepse u është dhënë rrogë”, thonë mjekët.

“Por do të parashikoja psikologët forenzikë që do të përdorin një rezultat moral si ky për të ndihmuar vlerësimin e përqindjes së kërcënimit që paraqet një individ, si shtesë e masave të agresionit dhe emocioneve, si dhe tjera detyra sociale dhe njohëse”, tha Dr.Ibanez për BBC News.

Prefesor Seena Fazel, nga Universiteti i Oksfordit, një psikiatër që fokusohet në marrëdhëniet në mes të sëmundjeve mendore dhe krimeve të dhunshme, tha për BBC që ky studim është një hap përpara.

Ai tha se ka vlera në krahasimet e studimit në mes të terroristëve dhe jo-kriminelëve, pra ekipi bëri testin e njëjte me 66 individë të shëndoshë nga regjioni i njëjte gjeografik që nuk kishin të kaluar terroriste

“Do të isha i interesuar në faktorë të identifikueshëm dhe modifikueshëm që mund të ndalojnë njerëzit që të përsërisin në akt të dhunshëm apo të ndalojnë ata që ta bëjnë për të parën herë. Kjo do të ishte një dobi e studimit.

“Këto lloj vlerësime mbështeten në intervista të detajuara, pra nuk jemi në një pikë ku mund të peshojmë dhe ta implementojmë këtë”, tha ai.