Gjashtë Milionë Njerëz Vdesin nga Duhani

Çdo vit në 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët organizojnë Ditën Botërore të Luftës Kundër Duhanit

Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell konsumi i duhanit, si dhe advokatimi për ndërmarrjen e politikave efektive me qëllim uljen e konsumit të tij.

Kjo ditë është shpallur në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat u përpoqën të ndërgjegjësojnë opinionin mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit, si dhe të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të duhanit.

Tema e këtij viti për Ditën Botërore të Luftës kundër Duhanit është:  “Duhani, një kërcënim për zhvillimin”

Kontrolli i duhanit mbështet shëndetin dhe zhvillimin

OBSH-ja u bën thirrje shteteve të përshpejtojnë nismat lidhur me kontrollin e duhanit, si pjesë e përgjigjeve të tyre në Axhendën e vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Qëllimi i Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm është që të sigurojë se askush nuk ka mbetur mbrapa. Kontrolli i duhanit është një nga mjetet më efektive që do të ndihmojë në reduktimin e një të tretës në nivel global, deri në vitin 2030, të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme si sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe sëmundjet pulmonare.

Kontrolli i duhanit ndihmon në arritjen e qëllimeve të tjera globale

Kontrolli i duhanit mund të ulë varfërinë, të kontribuojë në dhënien fund të urisë, të promovojë një bujqësi të qëndrueshme, rritje ekonomike, si dhe të luftojë ndryshimin e klimës. Rritja e taksave për produktet e duhanit mund të përdoret për të financuar mbulim shëndetësor universal, si dhe për të mbështetur programet e tjera të zhvillimit të qeverisë.

Nuk janë vetëm qeveritë që mund të kontribuojnë lidhur me kontrollin ndaj duhanit, por edhe individët të cilët mund të kontribuojnë në nivel individual për të bërë një botë të qëndrueshme pa duhan. Një gjë e tillë mund arrihet nëpërmjet angazhimit për të mos marrë kurrë produkte duhani. Ndërsa ata që janë përdorues mund ta lënë duhanpirjen ose të kërkojnë ndihmë, në mënyrë që të mbrojnë shëndetin e tyre dhe të njerëzve të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit, duke përfshirë fëmijët, anëtarët e tjerë të familjes dhe miqtë. Paratë që nuk shpenzohen për duhanin mund të përdoren për nevoja të tjera të domosdoshme, si ushqimi i shëndetshëm, kujdesi shëndetësor dhe arsimi.

Disa fakte…

-Rreth 6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga përdorimi i duhanit, një shifër e cila parashikohet të rritet në më shumë se 8 milionë në vit deri në vitin 2030 nëse nuk do të ndërmerren nisma konkrete. Përdorimi i duhanit është një kërcënim për çdo person, pavarësisht nga gjinia, mosha, raca, prejardhja kulturore ose arsimore. Konsumi i duhanit sjell vuajtje, sëmundje dhe vdekje. Ai varfëron familjet dhe ekonomitë kombëtare./RTV21 Media