Gani Sejdiu flet pas humbjes:  Kemi hyrë ta përmbysim rezultatin ndaj Feronikelit

Trajneri i Ballkanit, Gani Sejdiu, ka folur për media, pas përfundimit të ndeshjes, ku skuadra e tij u mposht me rezultat 2-0, në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës.

Sedjiu thotë se rezultati i takimit të parë në Suharekë, të cilën e patën humbur me rezultat 2-1, ishte deçiziv për takimin e sotëm.

“Realisht rezultati i takimit të parë ka qenë deçiziv do të thotë që pastaj edhe për epilogun e takimit të dytë. Por, të them të drejtën pas humbjes shkokuese ndaj Ferizajt, mendoj se ne është dashtë që skuadra të rikthehej në binar të vetë, ta rikthej atë besimin e duhur për vazhdimin e kampionatit që për ne është primar” ka thënë fillimisht ai.

Ai po ashtu tregon se Ballkani në këtë lojë kishte hyrë që të përmbyste rezultatin e ndeshjes së parë, por sipas tij pësuan gol kur skuadra e tij ishte në momentet më të mira.

“Kemi hyrë me logjiken se mund të përmbysej rezultati, sepse çdo gjë është e mundur në futboll, deri te pësimi i golit të parë, ku realisht ishte dhuratë nga lojtari i ynë. Mendoj se deri në atë moment menaxhonim shumë mirë dhe ishim shumë më të rrezikshëm”, u shpreh Sejdiu.