Futboll, vajzat: Mitrovica e gatshme për Kupën e Kosovës, flasin trajneri e lojtaret

Nesër prej orës 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, KFF Mitrovica do të përballet me KFF Kosova P, në kuadër të finales së Kupës së Kosovës.

Mitrovica tashmë veçse është shpallur kampion për sezonin 2018/2019, në Superligë pa asnjë humbje.

Skuadra e udhëhequr nga Seidi Onbashi nesër do të kërkojë që ta mbrojë titullin e Kupës së Kosovës, pasi para një viti e kishte fituar atë duke e mposhtur Hajvalinë me rezultat 2-1.

KALLXO.com ka kontaktuar trajnerin Seidi Onbashi, kapitenen Xhemile Berisha dhe sulmuesen Kaltrina Biqkaj.

Trajneri Seidi Onbashi beson se nesër do të dalin fitues, duke arritur ta mbrojnë titullin e fituar në vitin e kaluar. Ai ka zbuluar se skuadra e tij do të paraqitet në fushë me gjashtë mungesa kryesore.

“Po matematikisht jemi shpallë kampion për sezonin 2018/2019, është sezoni i dytë rresht që shpallemi. Jemi edhe në Finale të Kupës së Kosovës, edhe aty presim të triumfojmë, sikurse vitin e kaluar. Jemi përgatitur mirë për ndeshjen edhe pse i kemi  gjashtë mungesa. Por kemi në mesin tonë lojtare të tjera që do t’i zëvendësojnë me sukses këto mungesa dhe në fund të dalim fitues”, ka thënë Onbashi për KALLXO.com.

Trajneri mitrovicas thotë se e respekton kundërshtarin dhe pret që në fund të festojnë fitoren.

“Kemi respekt për kundërshtarin tonë. Është finale, një ndeshje ku secila lojtare ëndërron për këso ndeshje, por në fund të festojmë ne duke ditur kualitetin që posedojmë edhe kushtet që na ofron klubi me presidentin Hajrullah Haxhiu dhe drejtori Adnan Ademi”, potencon trajneri Onbashi.

Trajneri Seidi Onbashi

Kurse, kapitenia e klubit Xhemile Berisha  beson se në fund skuadra e saj do të dalë triumfuese, duke e përsëritur suksesin e vitit të kaluar, pavarësisht mungesave që do t’i kenë.

“Ne jemi përgatitur për këtë ndeshje, pavarësisht mungesave që i kemi. Do të japim maksimumin për këtë ndeshje dhe të dalim fituese, duke e përsëritur suksesin e vitit të kaluar. Ne do të hymë në ndeshje për fitore. Edhe pse klubi  i ynë është i njohur për cilësinë e lojtareve, pavarësisht edhe Kosova P e ka ekipin e mirë dhe nuk duhet t’i nënçmojmë, besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit nesër”, u shpreh Xhemile Berisha.

Kapitenja e KFF Mitrovices- Xhemile Berisha

Për KALLXO.com ka folur edhe sulmuesja Kaltrina Biqkaj, e cila është në top-formë, duke i shënuar 51 gola me Mitrovicën në këtë sezon në Superligë, dy xhiro pa përfunduar kampionati.

Biqkaj thotë se në çdo lojë hyn për ta fituar, ashtu edhe ndeshjen e nesërme dhe shpreson që të jetë në formën më të mirë në këtë ndeshje të rëndësishme për klubin.

“Ne si çdo ndeshje tjetër e kemi dhënë maksimumin prej vetës dhe jena mund në të gjitha lojërat me fitu. Çdo lojë është e rëndësishme, por sigurisht që finalja është më e rëndësishmja. Unë si çdo lojë tjetër shpresoj dhe besoj të jem në formën më të mirë timen, pasi që dihet rëndësia dhe pesha e ndeshjes së finales. Ekipi është i komponuar mjaft mirë edhe pse kemi mungesa nga formacioni bazë”, ka thënë sulmuesja Kaltrina Biqkaj.

 

Sulmuesja – Kaltrina Biqkaj