Foto: Kallxo.com

Florent Hasani: Jam i gatshëm të jap maksimumin për Kosovën (Foto)

Mesfushori, Florent Hasani, i është bashkuar për herë të parë kombëtares A të Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com, Florent Hasani  thotë se për të është emocion i madh që është ftuar për herë të parë për Kosovën, dhe kjo ka ndodhur, sipas tij, falë formës së mirë tek ekipi i Diosgyorit në Hungari.

“Është nder dhe emocion i madh për mua të jem për herë të parë për Kosovën. Mendoj që forma ime ka nisur mjaft mirë me klubin dhe si pasojë e saj ka ardhë edhe ftesa. Është një ndjenjë shumë e mirë për mua që të jem pjesë e ekipit të parë”, ka thënë Hasani.

Mesfushori i kombëtares së Kosovës i pyetur se a pret që të debutojë kundër Danimarkës ose Bullgarisë, ai ka thënë se është i gatshëm që të debutojë dhe të japë kontributin e tij në maksimum.

“Së pari duhet ta kryej punën time në çdo stërvitje maksimalisht se a do të debutoj vendos trajneri. Por unë qëndroj i gatshëm maksimalisht që ta jap kontributin tim për Kosovën”, është shprehur Florent Hasani.

Ish-lojtari i Vushtrrisë dhe Trepçës ’89, mendon që Kosova ka kualitet që të nxjerrë rezultat pozitiv ndaj Danimarkës.

“Danimarka dihet që është kombëtare shumë e fortë, është ndeshje miqësore në atë ndeshje reale do ta kemi pasqyrën reale të ekipit se ku jemi, sa jemi të gatshëm për ndeshjet e radhës dhe mendoj që kemi shumë kualitet që të nxjerrim rezultat pozitiv me Danimarkën”, ka potencuar Florent Hasani.

Kujtojmë se Florent Hasani në Kosovë ka luajtur për Vushtrrinë dhe Trepçën ’89, para se të transferohej në Hungari te skuadra e Diósgyőri VTK, ku po kalon një formë mjaft të mirë duke i shënuar 6 gola dhe 1 asistim në 24 ndeshje.