Florent Hadërgjonaj - Foto: KALLXO.com

Florent Hadërgjonaj tregon pse vendosi të luajë për Kosovën

Kombëtarja e Kosovës prej muajit maj e përforcoi krahun e djathtë të mbrojtjes me  lojtarin e Huddersfieldit, Florent Hadergjonaj.

24 vjeçari i lindur e rritur në Zvicër edhe zyrtarisht u prezantua me fanellën e ‘Dardanëve’ javën e kaluar.

Lojtari më i ri i Kosovës, në një intervistë për KALLXO.com, ka folur se si ndjehet që e përfaqëson Kosovën dhe sa kishte vështirësi deri te vendimi përfundimtar që të luajë për kombëtaren e Kosovës.

Ai po ashtu ka folur edhe për ndeshjen e radhës me Malin e Zi, që Kosova do ta luajë me 7 qershor si mysafir, si është të luajë në Premier Ligë, cili ka qenë lojtari më i vështirë që është përballur ai dhe se a e përcjellë Superligën e Kosovës.

Hadergjonaj thotë se është ndjenjë pozitive për të dhe është i kënaqur që i ka rregulluar të gjitha gjërat dhe do t’i mbrojë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës.

“Së pari ndjenjat janë shumë pozitive shumë të mira. Normal është që është diçka e veçantë me lujt për kombëtaren tonde për vendin tënd edhe erdha këtu edhe jam shumë i kënaqur që kam mundur me e ba hapin e fundit që krejt gjërat tjera u rregulluan se ka pasë disa probleme me do letra edhe se pata luajt për Zvicrën, miqësore për ekipin e parë kështu që nuk ka qenë bash lehtë me u largu prej atje. Por më në fund ecën të gjitha gjërat shumë pozitiv dhe jam shumë i kënaqur tash erdha ktu”, thotë Hadërgjonaj.

Në ditët e para ai i është nënshtruar seancave të trajnimit me pak bashkëlojtarë të tjerë në pritje të ardhjes së kontingjentit të të përzgjedhurve nga Bernard Challandes gjatë ditëve të ardhshme.

Ai thotë se i ka shikuar të gjitha ndeshjet e deritanishme të Kombëtares së Kosovës.

“Normal që i kam përcjellë edhe jashtë Kosovës i kam përcjellë lojërat i kom kshyrë prej Anglie atje dhe kanë qenë shumë pozitivë, rezultatet kanë qenë shumë të mira dhe çunat kanë luajtur futboll të mirë ofansiv. Tash besoj që edhe rezultatet flasin edhe për trajner, kur te shikosh se çfarë rezultate kanë bërë çunat, aty është edhe puna e trajnerit, po shihet se puna e trajnerit po e bën punën e mirë. Unë e kam njohur trajnerin para një kohe, prej Zvicre edhe kam pasur me të biseda të mira dhe besoj se do të vazhdoj këtu dhe të bëhet një grumbullim shumë pozitiv”,  shtoi ai.

Hadergjonaj fillimisht kishte zgjedhur të luante për Kombëtaren e Zvicres, bile e kishte luajtur një lojë miqësore me ekipin A, pastaj kishte vendosur të luajë për Kosovën. Ai ka thënë se nuk e ka pasur të lehtë që të vendoste të luante për Kosovën pasi Zvicra dëshironte ta mbante ende, mirëpo me dëshirën e tij ‘helvetasit’ e kishin lejuar që të luajnë për Kosovën.

“Nuk është hera e parë që po më pyesin, por për mua nuk ka qenë lehtë se unë jam lindë e jam rritë në Zvicër… Para se me u pranu Kosova, Zvicra aty ka qenë gjithmonë, unë aty kam qenë. Tash pasi Kosovën e pranoi FIFA, e pata ba lojën e parë tani siç thash më parë njerëzit nuk e dinë deri sa ma dhanë lejen u dashtë me nejt shumë pozitiv mos me e ba shumë të madhe. Zvicra andej e bënte presionin, pse po don me u ndërru për çka edhe ata e bëjshin maksimumin e vet për me më mbajt mua anën e atyre. Deri në fund i kemi pasë disa probleme, por më në fund funksionoi krejt. Patëm biseda të mira edhe me trajnerin Bernard Challandes edhe presidentin (Agim Ademi) edhe kur unë vendosa, Zvicra nuk mundi me ba kurgjo dhe jam shumë i kënaqur që nuk më nxjerrën probleme shumë të madha edhe e pranuan dëshirën time”, tregon Hadërgjonaj ekskluzivisht për KALLXO.com.

Ndeshja e parë të cilën Hadërgjonaj do të jetë në fanelën e Kosovës zhvillohet në Podgoricë, pa praninë e tifozëve, meqë Mali i Zi është dënuar nga UEFA për fyerje raciste ndaj lojtarëve të Anglisë gjatë një ndeshjeje të muajit mars.

“Për neve më mirë do të kishte qenë të luanim me tifozë sepse me lujtë një ndeshje pa tifoz nuk ka emocione, duhet me qenë mentalisht si skuadër shumë të fortë të përgatitur se nuk është ajo lojë pa tifozë dhe duhet ta japim maksimumin. Mentalisht duhet me qenë në nivel më të madh për me e përballu atë edhe të koncentruar në lojën tonë dhe shohim se çka bëhet”, thotë mbrojtësi i krahut të djathtë.

Mbrojtësi i Huddersfieldit, ekipi i cili sivjet nuk ka mundur të mbijetojë në Premier Ligë, ka zbuluar për KALLXO.com, se si është të luash në Premierligë. Megjithatë ai nuk e ka të sigurt qëndrimin te Huddersfield, pasi për të ardhmen e tij pritet të vendosë pas dy ndeshjeve me Kosovën.

“Kur kam luajtur në Gjermani thosha liga gjermane është ma e forta, por pasi erdha në Angli e pash përnime se çka është forca. Rezultatet po folin për Premier Ligën, po shihet kush janë më të fortë për momentin dhe ajo është diçka shumë e veçantë edhe atmosfera. E kam bo tashmë eksperiencën qe dy vite aty, 50 lojëra i bëra”, tregon ai.

Florent Hadërgjonaj – Foto: KALLXO.com

Për Hadergjonajn lojtari më i vështirë i cili është përballur në Premier Ligë, ka qenë jug-koreani Son i Tottenham, ndërsa për të lojtari më i mirë në këtë ligë është Eden Hazard i Chelseas.

“Asnjëri nuk është i lehtë prej atyre të mëdhenjve. Secili e ka forcën e vet. Mua shumë më ka befasuar Son i Tottenham, një lojtar që nuk e përmendin shumë, nuk e dinë që shumë por shuton edhe me këmbën e djathtë edhe me këmben e majtë. Për mua lojtari më i mirë në Premier Ligë është Eden Hazard. Kam luajtur kundër tij katër herë edhe ai lojtar për mua është fantastik, ai ka qenë ma i vështiri”, tregon ai.

Hadergjonaj thotë se ka ka mundur ta përcjellë rregullisht Superligën e Kosovës, por për aq sa e ka parë, ai thotë se ka rritje të cilësisë në futbollin kosovar vit pas viti.

“Shumë nuk e përcjelli por disa lojë që janë vendimtare normal që nuk i hupi dhe niveli për mua besoj që është shumë më mirë se qysh u kanë para 3-4 viteve. Kanë pasur disa ekipe suksese në ligat europiane në kualifikime kanë bo goxha do lojëra të mira”, thotë Florent Hadërgjonaj.