Foto: Arkiv

FFK tregon çka u ndalohet shikuesve në stadium në ndeshjen Kosova - Azerbajxhani

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se dyert e stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshjen Kosova – Azerbajxhani, që zhvillohet në kuadër të Ligës së Kombeve, më datë 20 nëntor 2018, ora 20:45, do të hapen në ora 18:00.

“Asnjë person, përfshirë edhe fëmijët pavarësisht moshës, nuk do të lejohen të hyjnë në zonën e stadiumit pa biletë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sipas Federatës, në hyrjet e stadiumit si dhe brenda stadiumit do të aplikohen masa të rrepta kontrolli “prandaj luten të gjithë qytetarët që të lexojnë me kujdes rregullat e mëposhtme dhe t’i respektojnë kërkesat”.

“Qytetarët të cilën nuk i përfillin rregullat e sigurisë mund të jenë subjekt për ndëshkim nga organet ligjore”, vijon më tej njoftimi.

Federata e Futbollit e Kosovës bën të ditur se këto janë rregullat që duhet të respektohen në stadium mbrëmjen e së martës:

  1. Dyert e stadiumit hapen në ora 18:00.
  2. Luten qytetarët që të vijnë me kohë në stadium, duke filluar nga ora 18:00 për të shmangur tollovinë.
  3. Nuk shiten bileta në zonën e stadiumit. Qytetarët të cilët nuk kanë bilete luten të mos vijnë në zonën e stadiumit sepse shkaktojnë tollovi. Qytetarët pa biletë do të largohen nga policia.
  4. Nuk lejohet hyrja pa biletë. Një bilete një person. Asnjë person, pavarësisht moshës, nuk do të lejohet të hyjë në stadium pa biletë. Kjo vlen edhe për fëmijët.
  5. Gjërat që nuk lejohen përfshijnë:

– Mjetet piroteknike

– Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë

– Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë

– Pijet alkoolike dhe substancat narkotike

– Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh) si fara, çipsi, smoki, kikirikë, lajthi, badem, etj.

– Ombrella

– Armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë

– Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palodshme, etj) etj.

– Kamera profesionale dhe video kamera

– Pajisjet elektronike, mekanike ose manuale, që prodhojnë zhurmë, si megafonë, bori ose vuvuzele

– Materialet promovuese ose komerciale

– Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar

  1. Qytetarët njoftohen që, për arsye të sigurisë, nuk lejohet bllokimi i rrugëve të evakuimit në tribuna. Prandaj, ulja në shkallët e stadiumit është rreptësisht e ndaluar.