FFK konfirmon: Futbollisti e lë Serbinë për të luajtur për Kosovën

Arton Zekaj (djathtas) në fanelën e OSC Lille

Mesfushori i skuadrës së LOSC Lille, Arton Zekaj, pritet ta braktisë përfundimisht Kombëtaren e Serbisë që të luajë për Kombëtaren e Kosovën.

Për KALLXO.com, këtë e ka konfirmuar menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala.

Shala ka treguar se ka qenë dëshira e dyanshme nga vet lojtari dhe FFK-ja që ai t’i mbrojë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës.

Menaxheri i Kosovës thotë se fillimisht Federata e Serbisë nuk ka bashkëpunuar me FFK-në, për t’i kompletuar dokumentet e Zekajt të cilat duhen të dërgohen në FIFA.

“Ne e kemi dërguar kërkesën në FIFA me vullnetin e lojtarit dhe të FFK-së, që ai të luajë për Kosovën. I kemi shkruar paraprakisht federatës serbe tri herë sa janë standardet dhe ata nuk na kanë lajmëruar asnjëherë për to, për disa dokumente që duhet me e kompletu lëndën me e dërgu në FIFA”, tha Shala për KALLXO.com.

Shala zbulon se pasi nuk është përgjigjur Federata e Serbisë, në kërkesat e FFK-së atëherë FIFA i ka dhënë afat kohor pesë ditor që ato dokumente t’i dërgojnë në selinë më të madhe të futbollit.

Edhe nëse Federata e Serbisë nuk i dërgon dokumentet në FIFA, atëherë FIFA ka të drejtë që të marrë përsëri vendim për Arton Zekajn që të luajë për Kosovën.

Arton Zekaj në fanelën e Serbisë

“Në momentin që Federata e Serbisë nuk është lajmëruar tri herë, atëherë FIFA ia ka dhënë një afat prej pesë ditëve Serbisë që me e dorëzu atë listë të ndeshjeve që ai i ka zhvilluar me Serbinë. Nëse Serbia nuk e dorëzon atë dokument brenda pesë ditëve në FIFA, atëherë automatikisht FIFA e merr vendimin për të. Nëse Serbia i dërgon dokumentet prapë lënda kompletohet dhe FIFA përsëri e merr vendimin për të dhe ai ka të drejtë të luajë për Kosovën”, shpjegon Bajram Shala.

Sipas Shalës, Arton Zekaj do të luajë për Kosovën dhe do të jetë i gatshëm që prej muajit qershor.

“Është e sigurt se Artoni ka me luajt për Kosovën, ka me u kompletu lënda e tij në FIFA edhe ai ka me luajt për Kosovën, nuk ka më asnjë dyshim. Prej qershorit ka me qenë i gatshëm të luajë për Kosovën”, tregon ai.

Arton Zekaj ka lindur në Beogarad më 16 prill të vitit 2000.

Ai luan në pozitën e mesfushorit defansiv.

Zekaj deri më tani i ka bërë 11 paraqitje për Serbinë duke e shënuar një gol në të gjitha grupmoshat.

 

 

Ramiz Lladrovci premton hapjen e kontratave

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend