E ardhmja e Sampaolit në krye të Argjentinës në dilemë

E ardhmja e trajnerit të Argjentinës në futboll, Jorge Sampaoli, do të shqyrtohet në fund të këtij muaji, pas largimit të hershëm të kësaj kombëtareje nga kupa e botës Rusia 2018, raporton BBC.

Sampaoli, 58 vjeçar, ishte pritur të largohej pasi finalistët e kupës së vitit 2014 u eliminuan në të tetën e finales pas humbjes nga Franca me rezultat 4:3.

Por tani ai do ta drejtojë ekipin kombëtar nën 20 vjeç në një turne në Spanjë nga 28 korriku.

Ndeshjen e ardhshme, ekipi kombëtar i Argjentinës e luan kundër Guatemalës më 6 shtator.

Sampaoli u takua me presidentin e Federatës së Futbollit të Argjentinës, Claudio Tapia, dhe Zëvendës Presidentin Daniel Angelici, të hënën.

Në takim është arritur pëlqimi që ai ta drejtojë kombëtaren nën-20 vjeç pasi asistenti Sebastian Beccacece braktisi ekipin për ta marrë drejtimin e ekipit brazilian Defensa y Justicia.

Sampaoli, ish trajner i ekipit kombëtar të Kilit, erdhi në krye të kombëtares së Argjentinës në maj të vitit 2017 dhe mezi u kualifikua për kupën e botës.

Më pas, Argjentina mezi u kualifikua nga faza e grupeve në Rusi falë një fitoreje të ngushtë 2:1 ndaj Nigerisë me një gol të shënuar në minutën 86.

Kjo fitore erdhi pas një fitoreje 1:0 ndaj Islandës dhe një humbjeje 3:0 ndaj Kroacisë, e cila ishte humbja me ë thellë e Argjentinës në kupën e botës pas asaj të vitit 1958 ndaj Çekosllovakisë me rezultat 6:1.

Të hënën, gazeta sportive Ole bëri një sondazh me 100,000 njerëz dhe rezultati tregoi se 82 % duan që Sampaoli të largohet, raporton BBC.