Arjeta Musliu - Aktiviste

Droga ia morri djalin, nëna u del në ndihmë prindërve të tjerë - VIDEO

Arjeta Musliu është me profesion psikologe, së fundmi ajo ka hapur një Qendër për këshillime falas për të varurit nga droga në Ferizaj.

Ajo thotë se hapja e kësaj qendre është misioni që si ide ka nisur bashkë me djalin e saj që e humbi jetën kohë me parë.

“Dëshirë e djali tim i cili në mesin tonë nuk është fizikisht ndërsa gjatë kohës 24 orëshe është në mesin tonë vazhdimisht. Ideja ka lindur kur ka filluar rehabilitimi i djalit duke bërë përpjekjet maksimale, thjeshtë mund të them se kemi hyrë me një luftë. Droga domosdoshmërisht shpallë luftë për përdoruesin e pastaj edhe prindin. Gjithmonë si nënë duke e mendu më të mirën për fëmijën për me ndihmu ndonjëherë nuk bëhet sipas dëshirës së prindit”, thotë Musliu

Arjeta kujton se djali i saj me gjithë pendesën që ndjente kishte kërkuar që së bashku me nënën e tij t’i shpallin luftë drogës dhe të ju dalin në ndihmë të gjithë shokëve të tij. Me dhimbjen më të madhe që njeriu mund të mbaj në shpirt, pas humbjes fizike të djalit Arjeta ka mbledhur forcat dhe ka krijuar të parën Qendër në Ferizaj që do u dal në ndihmë njerëzve të varur nga droga.

“Mund të them se Qendra e Rehabilitimit në Qendrën e Psikiatrisë  nuk është në nivel, ku numri i përdoruesve është i madh ndërsa ka qenë një ambient i kufizuar duke përfshi edhe stigmën e moskërkimit të ndihmës. Qëllimi im duke pasur qasjen e drejtpërdrejtë e kam pa të nevojshme se fillimisht duhet të bëhet vetëdijesimi i prindërve duke vazhdu te familja, shoqëria dhe personat përdorues të substanca”, thotë ajo.

Arjeta  thotë se Qendra që ajo tashmë drejton ka për qëllim që së pari njerëzit të marrin informatat e duhura dhe të rinjtë të mos bien pre e drogave si pasojë e mungesës së informacionit, prandaj bashkë me Shoqatën e Psikologëve të Kosovës  do të punojnë për informim të saktë të masës.

“Ne si projekt e kemi edhe pjesën e ligjëratave që do të filloj nga muaji shtator, për edukimin sensibilizimin dhe informimin e nxënësve rreth kësaj dukurie negative”, tregon ajo.

Sipas saj punë të madhe duhet të bëhet me prindërit dhe në vendin tonë kjo nuk është bërë nga askush deri më tani. Arjeta thotë se detektimi i hershëm bëhet atëherë kur prindi e pranon sa më shpejtë problemin dhe bëhet përkrahje e fëmijës për të dal nga ajo rrugë.

“Qëllimi kryesor i Qendrës ka qenë këshillimi, është përdor termi këshillim që prindi ta ketë më të lehtë qasjen, nuk ka të bëjë këtu psikiatria pacienti, apo psikologu klienti. Unë mendoj se do të jem si qasja e parë e prindit në nevojë ku përmes kësaj qendre dhe përvojës time duke e harmonizuar edhe profesionin do të jem produktive. Fillimisht qëllimi ka me qenë që prindi ta pranoj që është shumë e vështirë dhe vazhdimësia e përdoruesit dhe vetëdijesimi i prindit për ta pranuar realiteti dallon shumë. Kështu që përmes komunikimit, këshillimit do të bëhet ky edukim në aspektin psikologjik duke shërby për prindin dhe fëmijën”, thotë ajo.

Arjeta thotë se mbështetja e prindit ndaj fëmijës i cili është përdorues i drogave është e rëndësishme. Fëmijët që tashmë kanë hyrë në një botë tjetër, atë të drogës nuk duhet ta shkëputin lidhjen me prindin.

Për krijimin e Qendrës së Këshillimit ajo është përkrahur nga shumë persona të afërt, por në ndihmë i ka dalë edhe Komuna e Ferizajt duke i mundësuar kështu pagesën e qerasë për lokalin.

Arjeta thotë se me entuziazmin e shumë njerëzve dhe dëshirën për të ndihmuar shumë shpejtë do të arrijnë të përçojnë informacionin e duhur te secili i ri, ndërsa prindërve do u hapet një derë për të kërkuar ndihmë, mbështetje dhe mirëkuptim.