‘Drita’ zhvendos fokusin te Kupa e Kosovës

Futbollistët e ekipit kampion të Kosovës, Drita e Gjilanit, janë nisur për në Antali të Turqisë ku do t’i zhvillojnë disa ditë stërvitje në kuadër të përgatitjeve për sezonin e pranverës.

Me ambicie më të vogla se një vit më parë, trajneri i klubit Shpëtim Duro, thotë për KALLXO.com se kupa e Kosovës do të jetë synimi kryesor i klubit.

Drita e ka mbyllur gjysmën e parë të kampionatit të Kosovës në vendin e 6 me 23 pikë, 17 më pak se kampioni vjeshtor, Prishtina, dhe pothuaj pa asnjë gjasë që të synojë përsëritjen e suksesit të vitit të kaluar.

“Kampionati nuk ka asnjë synim tani, sepse diferenca është shumë e madhe. Patjetër unë e kam thënë që dy objektiva janë këtu, kampionati dhe kupa, do të tentojmë të bëjmë të pamundurën të bëjmë maksimumin në ndeshjet e kupës është i vetmi objektiv. Sigurisht shkon më shpejt, por edhe kjo ka vështirësitë e veta, sepse është një turne me sistem eliminimi edhe kur ke një sistem eliminimi çdo rrezik është evident”, thotë trajneri Duro.

Në fakt, Drita i ka filluar stërvitjet në Gjilan në dhjetëditëshin e parë të janarit, por moti i ftohtë dhe mungesa e kushteve për stërvitje nuk kanë mundësuar arritjen e synimeve të stafit teknik.

“Kushtet atmosferike kanë qenë të vështira, por jemi munduar nëpërmjet stërvitjeve në fitnes dhe në sallë të mbyllur. Kemi arritur të bëjmë maksimumin për ta realizuar programin, që sigurisht që nuk realizohet 100%,  por deri në këto momente jam i kënaqur me përgatitjet që po zhvillon skuadra”, ka thënë trajneri që erdhi Shqipëria për ta drejtuar Dritën pas largimit të bekim Isufit në fillim të kampionatit, vitin e kaluar.

Duro, insiston se Drita, ka lojtar të mirë në ekip, dhe nëse nuk arrijnë të transferojnë ndonjë lojtar me nam të madh që do ta bënte diferencën, atëherë do të qëndrojnë më këta lojtar që i kanë.

“Në këtë periudhë të janarit, siç dihet është shumë e vështirë të afrohen lojtarë cilësorë, dhe në qofte se nuk ka ndonjë lojtarë cilësorë, më mirë është të vazhdojmë me atë kontingjent që kishim në dy fazat e para”, ka shtuar ai.

Kapiteni i Dritës Ardian Limani, thotë që faza përgatitore nuk ka nisur mirë, për arsye të kushteve të këqija, të cilat ia kanë imponuar klubit t’i kryejë përgatitjet fizike në fitnes dhe fusha të mbuluara me bar sintetik.

Edhe ai thotë se pas rezultateve të dobëta, klubi ka ndryshuar synimet për këtë vit.

“Në fillim të sezonit synimi ka qenë të mbrojmë titullin dhe të luftojmë për kupë, por për titull kemi ngecur mbrapa, kështu që objektivi kryesor i joni tashmë është kupa edhe shpresojmë që ta arrijmë”, ka thënë Ardian Limani për Kallxo.com.

E lojtari më i mirë i Kosovës për vitin 2018, Xhevdet Shabani, beson se në fund të sezonit, bashkëlojtarët e tij do ta pasurojnë vitrinën e klubit me një trofe, Kupën e Kosovës.

“Duke e pasur parasysh se në kampionat kemi ngecur mjaft shumë edhe gjasat janë shumë të vogla për të luftuar për titull. Të gjithë forcat i kemi tek kupa, besoj shumë në këtë grup të lojtarëve, sepse e kemi një ekip mjaftë të mirë duke e pasur parasysh se kemi luajtur në garat evropiane, besoj se do t’ia dalim me sukses për ta fituar kupën”, thotë Xhevdet Shabani.

Në garën për Kupën e Kosovës, Drita në çerekfinale do të takohet me Vallëzimin në Gjakovë. Ndeshja pritet të luhet me 9 shkurt, nëse kushtet atmosferike janë të përshtatshme për lojë.