Drita- Ballkani- Foto: Facebook nga Drita

Drita shkatërron Ballkanin, Llapi tregohet i fortë për Gjilanin

Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit në Ipko Superligën e Kosovës, ndërmjet Dritës e Ballkanit dhe Llapit e Gjilanit, ndeshje këto që janë zhvilluar në kuadër të xhiros së dhjetë.

Të dy ndeshjet sot kanë prodhuar një rrebesh gola, pra 11-të tillë.

Drita e ka mposhtur Ballkanin me rezultat 6-1.

Epërsinë e parë për gjilanasit ia dha sulmuesi Betim Haxhimusa në minutën e 12-të pas asistimit të Ardian Limanit.

Për dyfishimin e epërsisë u përkujdes qendër mbrojtësi Fidan Gërbeshi në minutën e 35-të nga pika e bardhë.

Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 2-0.

Pjesa e dytë nisi furishëm ku mesfushori Filonit Shaqiri shënoi golin e tretë pas asistimit të Haxhi Nezirajt.

Për epërsinë 4-0 Liridon Kukaj nga Ballkani në tentim për ta larguar topin nga porta e tij shënoi autogol.

Për 5-0 u përkujdes Endrit Krasniqi në minutën e 75-të.

Golin e nderit për mysafirët e shënoi Blendi Baftiu në minutën e 87-të, ndërsa për rezultatin përfundimtar u përkujdes Betim Haxhimusa një minutë para fundit të ndeshjes.

Pas xhiros së dhjetë Drita radhitet në pozitën e tetë me 13 pikë, ndërsa Ballkani në të parafundit me nëntë.

Llapi ka arritur të rikthehet te fitoret pas dy humbjeve, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat 3-1.

Vendasit e nisën mirë ndeshjen ku vetëm pas gjashtë minutave kaluan në epërsi me sulmuesin Festim Alidema pas asistimit të Hamdi Namanit.

Gjilani kishte mundësinë që ta barazoi rezultatin në pjesën e parë me anë të Ansi Nikës nga penalltia, por Nika dështoi të shënoi pasi portieri Afrim Ademi e mbron atë.

Pjesa e dytë nisi mirë për skuadrën llapjane, pasi Egzon Sinani në minutën e 55-të shënoi me kokë pas asistimit të Mentor Zhdrellës për rezultatin 2-0.

Edon Zeqiri u përkujdes për rezultatin 3-0 në minutën e 67-të.

Për golin e nderit për Gjilanin shënoi Endrien Magani në minutën e 76-të.

Llapi pas kësaj ndeshje radhitet në pozitën e 2-të me 19 pikë, ndërsa Gjilani në pozitën e shtatë me 14 pikë.