Djelmoshat e Kosovës të gatshëm për lojën kundër Malit të Zi

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para nisjes për në Podgoricë.

Gardiani i portës së Kombëtares është i bindur në fitore. Ujkani tha para gazetarëve se të gjithë po punojnë fortë për një fitore në Mal të Zi.

“Do të jenë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Sigurisht ndeshja kundër Malit të Zi është një ndeshje e madhe dhe e vështirë, por ne jemi përgatitur mirë dhe kemi punuar shumë. Atmosfera është e mirë dhe jemi në rrugë të mbarë. Por, tash mbetet që të premten ta tregojmë veten dhe të nxjerrim rezultat pozitiv. Të gjithë po punojmë për njëri-tjetrin. Kemi mungesa të rëndësishme, por kanë ardhur djemtë të ri dhe konkurrenca është rritur shumë, andaj besoj se nuk duhet të jetë problem për ne mungesa e disa futbollistëve”, tha Ujkani gjatë një konference për media.

 

Lojtari tjetër i Kombëtares së Kosovës, mbrojtësi Fidan Aliti tha se janë të fokusuar te ndeshja me përfaqësuesen e Malit të Zi.

“Ne tani jemi të fokusuar në ndeshjen me Malin e Zi. Nuk do të jetë e lehtë. Kemi respekt për kundërshtarin, por ne i dimë kualitetet tona. Stërvitjet kanë qenë shumë intensive dhe djemtë kanë punuar me përkushtim, prandaj besoj se do të hyjmë në ndeshje me mentalitet pozitiv. Nëse nuk besojmë në fitore ndaj Malit të Zi ma mirë mos të udhëtojmë fare. Unë besoj fuqishëm se do të kemi gjasa të mëdha për ta fituar ndeshjen”, tha ai.

Kombëtarja udhëton sot në orën 14:00 drejt Podgoricës ku nesër do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para përballjes me Malin e Zi.

.