Ilustrim

Diabeti i shtatzënisë dhe trajtimi në Kosovë

Diabeti është sëmundje që shkaktohet nga çrregullimet në funksionimin e pankreasit – një gjëndër shumë e rëndësishme sepse aty prodhohet insulina, hormoni që e rregullon nivelin e glukozës në gjak.

Por si ndikon kjo sëmundje tek gratë shtatzëna? Për këtë flet për KALLXO.com dr. Rreze Serhati- Morina, Endokrinologe.

“Diabeti në shtatzëni apo gestacional është sëmundje që shfaqet nga rritja e glukozës në gjak dhe lajmërohet nga rritja e rezistencës insulinike e këtë rezistencë e bëjnë hormonet e placentës dhe shfaqet në tre mujorin e fundit të shtatëzanisë për këtë arsye gratë në javën e 24 dhe të  28 bëjnë një test të cilit i themi testi i ngarkesës me glukozë që na tregon nëse gruaja ka diabet në atë kohë”, tregon dr. Rreze Serhati- Morina.

Rreze Serhati- Morina – Foto: KALLXO.com

Sipas saj çdo shtatzënë mund të sëmuret nga diabeti por ekziston një grup që kanë rrezik më të madh për shfaqjen e sëmundjes.

“Ekzistojnë edhe disa faktorë të rrezikut të cilët ndikojnë që diabeti të shfaqet në fillim të shtatëzanisë. Nëse gruaja ka lindur një fëmijë me peshë të madhe në shtatzëninë e kaluar, nëse gruaja ka pasur diabet, hipertension nëse ka sindromën e vezoreve policistike, hipertension i shtatëzanisë, apo diabet të tipit 2 i cili është gjenetik. Me këto faktorë mjeku gjinekolog e udhëzon gruan që të bëjë testin në fillim që të shihet nëse ka diabet”, sqaron ajo.

Endokrinologia Rreze Serhati- Morina thotë se rëndësi shumë të madhe ka bashkëpunimi i gruas shtatzënë për të arritur rezultatin e duhur për trajtimin e ‘diabetit gestational’.

“Trajtimi i parë që i bëhet grave me diabet në shtatzëni  është një dietë me ushqim të shëndetshëm, nuk është e rëndësishme që të humb në peshë por të ushqehet shëndetshëm. E dyta është aktiviteti fizik ku kërkohet 30 minuta ecje prej shtatzënës në qoftë se me këto nuk arrihet mbajtja e nivelit të glukozës në normë atëherë fillojmë me terapi”, thotë endokrinologia.

Serhati- Morina thotë se është shumë e rëndësishme që niveli i glukozës të matet kohë pas kohe për të parë nëse po përparon apo jo sëmundja.

“Është shumë e rëndësishme që niveli para dhe pas ushqimit të matet në vlerat që endokrinologu i kërkon, është shumë e rëndësishme për shkak se mund të ketë komplikime në fund të shtatzënisë si te nëna ashtu edhe te beba. Komplikimet janë që një fëmijë lind makrosom apo me peshë të madhe dhe rrezikohet që të ketë nivel të ulët të glukozës kur lind, është lindja e parakohshme ndërsa te nëna rritet rreziku i eklampsisë dhe ajo nënë mund të mbetet me diabet të tipit 2 pas lindjes”, tregon Endokrinologia Rreze Serhati- Morina.