Dhëmbët e Prishur Çojnë Baktere në Organizëm

Dy specialiste të pedodoncisë dhe stomatologjisë preventive tregojnë se dhëmbët e prishur nuk janë vetëm mungesë estetike.

Blerta Latifi-Xhemajli dhe Aida Rexhepi që kanë specializuar për pedononci dhe stomatologji preventive tregojnë për KALLXO.com se si të mbrohen dhëmbët nga prishja.

Pedodoncia merret me shëndetin e dhëmbëve dhe gojës për fëmijët deri në moshën 17 vjeçe.

Dy doktoreshat në këshillat e tyre të përbashkëta të dhëna për KALLXO.com bëjnë me dije se prishja e dhëmbëve ndikon në organizëm.

“Higjiena orale ka ndikim direkt dhe indirekt në shëndetin e përgjithshëm. Mungesa e saj mundëson kështu kalimin e baktereve nga hapësira orale në indet dhe organet e largëta e si pasojë e kësaj paraqitjen e sëmundjeve konsekutive”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Stomatologet Blerta Latifi- Xhemajli e Aida Rexhepi thonë se në Kosovë mungon kultura e mirëmbajtjes së dhëmbëve.

“Fatkeqësisht në shoqërinë tonë ende mungon kultura dhe shprehia për mirëmbajtjen e higjienës orale sepse në përgjithësi mungon vetëdijesimi i shoqërisë për rëndësinë e shëndetit oral”, thonë dy mjeket stomatologe.

Ato tregojnë se as institucionet nuk bëjnë fushatë për ta krijuar kulturën e mbrojtjes së dhëmbëve.

“Promovimi i rëndësisë së shëndetit oral nga ana e institucioneve kompetente është ende i një niveli te ulët, gjë e cila reflekton në mungesën dhe rëndësinë e mirëmbajtjes së shëndetit oral”, shpjegojnë doktoreshat.

Kariesi (nxirja e dhëmbëve) dhe mbetja e ushqimit në ta shkaktojnë problemet kryesore dhe sëmundjet e tyre.

“Në paraqitjen e sëmundjeve të dhëmbit nuk ekziston një faktor i vetëm, sepse kariesi është një sëmundje multifaktoriale, megjithatë bakteret dhe ushqimi i pasur me karbohidrate mund të konsiderohen si faktorët kryesorë në paraqitjen e kariesit”, thonë doktoreshat.

Ato treguan dhe pasojat që mund t’i kenë personat me dhëmbë të prishur.

“Pasojat nga dhëmbi i prishur janë të shumta: dhimbja, edema (ajtja), pamundësia e të ushqyerit të rregullt, pagjumësia, humbja e dhëmbit e cila lë hendikep i cili duhet të kompensohet më vonë me punime protetikore”, shpjegojnë doktoreshat.

Ato tregojnë edhe si duhet të pastrohen dhëmbët.

“Preferohet metoda vertikale e pastrimit të dhëmbëve (brusha duhet të mbahet në këndin 45 shkallësh dhe të lëvizë nga lart poshtë për dhëmbët e sipërm dhe nga poshtë lart për dhëmbet e poshtëm)”, japin këshilla doktoreshat.

Arjeta Rexhepi një studente e UP-së tha se u kushton rëndësi dhëmbëve dhe shkon shpesh te dentisti, pasi që në fëmijërinë e hershme kishte probleme me dhëmbët e qumështit.

“Dhëmbët e qumështit më janë prishur që kur i kam pasur 8 vjet. Prej atëherë vizitat te mjeku kanë qenë të shpeshta, nashta kjo më ka shty që të kujdesem shumë më shumë për higjienën e dhëmbëve. Shkaku i dhëmbëve të prishur kam pas probleme shëndetësore edhe të tjera si me veshkat. Tani dhëmbët i kam të rregulluar, por mundohem të kujdesem në pastrimin e tyre në shtëpi dhe 2 herë në vit te stomatologu”, tha Rexhepi.

Ndërsa Mimoza Ajeti, një tjetër studente në universitetin publik të Prishtinës thotë se kujdeset për dhëmbët jo vetëm pse ata kur janë të paprishur reflektojnë bukuri.

“Unë mendoj se përveç bukurisë dhëmbët ndikojnë edhe te shëndeti ynë. Sipas nevojës vizitoj edhe stomatologun, por në shumicën e rasteve kujdesem vetë me disa teknika që i lexoj te këshillat mjekësore. Dhëmbët kanë rëndësinë si në shëndet por edhe në bukurinë e një personi. Shprehia e higjienës ka filluar që e vogël pasi që jam vetë e kujdesshme për shëndetin tim”, tha Ajeti për KALLXO.com.