Artizana Dushi

Dermatiti amionakal te fëmijët, parandalimi dhe trajtimi në Kosovë

Skuqjet në zonën e pampersit te fëmijët janë problem me të cilin përballet çdo nënë gjatë rritjes së fëmijës, tha për KALLXO.com Artizana Dushi, specialiste e dermatovenerologjisë.

Sipas doktoreshës Dushi këto skuqje njihen si dermatit amoniakal dhe trajtimi i tyre bëhet gjithmonë në konsultë me profesionistin në mënyrë që të ordinohet terapia adekuate.

“Kjo ndodhë për shkak të faktorëve të ndryshëm, ndër ata numërojmë faktorin mekanik, fizik, kimik, enzimet e ndryshme, laktozë intolerancën, ushqimet e ndryshme”, thotw Dushi.

Sipas saj dermatologu mund të vendosë vetëm atëherë kur ka mundësi që ta vlerësoj gjendjen me sy.

“Në bazë të pamjes klinike dermatologu vendos për trajtimin e rastit në bazë të asaj se sa është skuqja, a kemi papulla, a kemi ndryshime të tjera dhe ne ordinojmë terapi. Ajo është e veçantë për secilin fëmijë dhe nuk është e përgjithshme për të gjithë fëmijët që kanë skuqje në zonën e pampersit”, tregon ajo.

Doktoresha tregon se format e trajtimit në shtëpi mund të mos jenë efektive nëse gjendja e fëmijës është rënduar.

“Çaji kamomil është antisepktik, antiinflamatorë, mirëpo ka veprim shumë të dobët në zonën kur ka skuqje, vaji i kokosit, i ullirit të gjitha këto hyjnë në grupin mirëmbajtësve të lëkurës. Nuk kanë efekt shërues kur kemi rastet e pezmatimit të asaj zonës” thotë doktoresha Dushi.

Terapia që përshkruajnë dermatologët është kryesisht e aplikueshme në lëkurë në mënyrë që fëmijët të mos ngarkohen me terapi orale.

”Barnat orale janë shumë të rralla te dermatietet amoniakale kryesisht jepen vetëm kremat emulsionet të ndryshme të gjitha varen prej rastit se me çka kemi të bëjmë”, këshillon Dushi.

Doktoresha këshillon që të parandalohen gjendje të tilla duke pasur kujdes me pastërtinë e kësaj zone.

“Parandalimi i dermatitit amoniakal bëhet në atë mënyrë që nënat duhet shumë shpesh ta ndërrojnë fëmijën e tyre ta lënë një kohë të ajroset, fëmijën ta lajmë me ujë të vakët, një herë në ditë ta përdorim shamponin apo sapunin që është për fëmijë. Nuk duhet të përdorim shpesh letrat e lagura që janë shumë praktike edhe përkojnë me kohën në të cilën jetojmë mirëpo nuk duhet të teprohet me to, vetëm kur jemi në lëvizje përndryshe në zëvendësim të tyre në pamundësi të larjes me ujë të vakët mund të përdoret uji termal edhe ndonjë pallomë e terur dhe të teret ajo sipërfaqe e lëkurës për arsye se nën veprimin e lagështisë edhe mbylljet me anën e masës që e ka pelena vjen deri te një terren i përshtatshëm për zhvillim të infeksioneve të ndryshme”, tregon Artizana Dushi, specialiste e dermatovenerologjisë.