Dëmi i ndikimit të ushqimit me hormone dhe kimikate në organizmin e njeriut
Përmes disa hulumtimeve të bëra në Shqipëri edhe njëherë u vendos në qendër të vëmendjes siguria e ushqimit që konsumojnë qytetarët e Shqipërisë por edhe të Kosovës.
Në botën në të cilën jetojmë ekspertët thonë se pothuajse është bërë e vështirë të gjinden ushqime bio të pandikuara nga dora e njeriut.
Për të zgjedhur ushqimin me kujdes duhet ditur të bëhet diferenca në mes të frutave e perimeve të ndikuara me hormone dhe atyre që janë rritur në mënyrë natyrale.
Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori” tha për KALLXO.com se ngutia për të arrit pjekjen e pemëve dhe perimeve është e dukshme edhe përmes syrit të çdo konsumatori.
“Konsumatori duhet të mësojë se si t’i dallojë frytet e trajtuara me kimikate. Nëse nuk di atëherë duhet të insistojë që shitësi t`ia japë një ekzemplar për t’a parë brendinë e frutit. Të kërkojë garanci nga prodhuesi/shitësi“, tha Kaçaniku.
Ai mori shembull domaten e cila thotë se kur është e ndikuar me hormone nga brenda është e gjelbër apo e bardhë ose e verdhë dhe nuk e ka formuar akoma shijen e as aromën, por as substancat që njihen si të shëndetshme në të.
Nga ana tjetër Diola Dosti- Baftiu, nutricioniste tha se teprimi i ndikimit me kimikate apo hormone në ushqim sjell dëme të mëdha në organizëm duke përfshirë edhe sëmundjet kacerogjene.
“Mendoj që çdo tregtar i ndërgjegjshëm duhet të ketë një pajisje me të cilën e bënë matjen e nivelit të kimikateve në fruta dhe perime. Kush ka mundësi edhe në familje ta ketë, ka testera të produkteve ushqimore si fruta perime e zarzavate. Zakonisht produktet e importit janë më të sigurta, ato që vijnë nga BE, pasi që respektojnë standardet”, tha ajo.
Sipas Dostit Baftiut në Kosovë dhe Shqipëri mund të ketë abuzime me mënyrën e rritjes dhe pjekjes së këtyre ushqimeve.