Filmi "Don't Look Up", me Leonardo DiCaprion dhe Jennifer Laërence, tregon historinë e zbulimit të një komete apokaliptike që është nisur në drejtim të Tokës. Fotografia nga Niko Tavernise / Courtesy Netflix

Demagogjia e vrazhdë e 'Don’t Look Up'

Alegoria e Adam McKay për ndryshimet klimatike ka një pikëpamje cinike apolitike rreth politikës.

Richard Brody

Satira e Adam McKay “Don’t Look Up” është një film i zgjuar porse mendjeshkurtër. Dallimi qëndron tek fakti se zgjuarsia është shumëdimensionale, sikurse një gur i çmuar që, sado i vogël, vezullon ndryshueshëm nga pikëvështrime të ndryshme. Zgjuarsia e rraskapit veten e saj me një shkëlqim të vetëm dhe më pas përsëritet deri në pafundësi.

“Don’t Look Up”, shpërfaq historinë e zbulimit të një komete të madhe që është nisur drejt planetit tokë për t’a goditur atë  dhe, kësisoji, për t’i dhënë fund jetës në këtë planet; mjedisin e degraduar gazetaresk që e banalizon zbulimin e kësaj komete dhe e minimizon rrezikun në të njëjtën kohë; si dhe Presidenten e paaftë, gabimet e së cilës për interesa personale i japin mundësinë kometës që ta godasë tokën me pasoja katastrofike. Është një komedi e zhurmshme në të cilën një përrallë e thurur me elementë pothuajse të besueshëm tregohet me anë të tipareve të ekzagjeruara të karakterit dhe situatave absurde. Është gjithashtu një film për mediasferën e prishur – megjithatë, edhe me qëllimet më të mira, filmi vetëm sa e shton mjerimin e mëtejmë.

Kometa është zbuluar nga Kate Dibiasky (Jennifer Lawrence), një studente e diplomuar në astronomi në shtetin e Miçiganit; trajektorja e saj drejt Tokës zbulohet nga këshilltari i saj, Dr. Randall Mindy (Leonardo DiCaprio), dhe ata llogarisin se ajo do të godasë tokën në vetëm gjashtë muaj kohë. Ata kontaktojnë NASA-n dhe vihen në kontakt me Dr. Teddy Oglethorpe (Rob Morgan), kreun e Zyrës së Koordinimit të Mbrojtjes Planetare (një zyrë e vërtetë federale, siç i informon shikuesit një mbititull), i cili i çon ata në Shtëpinë e Bardhë për t’ia dhënë këtë lajm personalisht Presidentes, Janie Orlean (Meryl Streep). Partia e saj  – e paspecifikuar – politikisht dhe veprimet e saj ngjajnë me ato të Donald Trump: ajo emëron një gjykatës të Gjykatës së Lartë me kualifikim të dyshimtë dhe me skandal seksual, falsifikon të dhëna shkencore për të siguruar avantazh në zgjedhjet afatmesme dhe i lë të pakundërshtueshme vërejtjet raciste publike.

Kur Presidentja Orlean i trajton tre shkencëtarët dhe dëshmitë që kanë siguruar ata në mënyrë shpërfillëse, ata dalin publikisht me lajmin se bota do të përfundojë. Kate dhe Randall flasin me gazetarët e New  York Herald (llogoja e saj përdor të njëjtën tipografi sikurse The Times) dhe shkojnë si mysafirë të një talk show i mëngjesit, ku ata këshillohen të “ndjehen të relaksuar”. Mes bisedës qesharake të nikoqirëve të këtij talk show-i, Jack (Tyler Perry) dhe Brie (Cate Blanchett), paralajmërimet apokaliptike të Kate dhe Randall lihen mënjanë deri në momentin kur Kate fillon të bërtasë, duke i acaruar marrëdhëniet me nikoqirët e emisionit aty dhe njëkohësisht duke duke u bërë subjekt i përqeshjes nëpër mediat sociale. Kur presidentja e sheh të përshtatshme politikisht ta ndërmarrë një vendim lidhur me kometën, ajo merr iniciativë për ta nisur një mision për ta devijuar kometën, pikërisht ashtu siç ishin rekomandimet e dhëna nga shkenctarët më të mirë – dhe më pas, me nxitjen e një miliarderi teknologjik të quajtur Peter Isherwell (Mark Rylance), ajo anulon misionin dhe e lejon Peterin të përpiqet të grumbullojë një pasuri të pallogaritshme në mineralet e kometës. Ndërkohë, publiku është i ndarë midis atyre që i besojnë shkencës dhe atyre që e quajnë kometën një mashtrim – mes realistëve që u luten fqinjëve të tyre ta shikojnë kometën dhe ta pranojnë kërcënimin e afërt, dhe mohuesve, slogani i të cilëve mban edhe titullin filmit në fjalë.

Energjia komike e filmit buron kryesisht nga digresioni dhe reagimet anësore të tij – nga gracka e pacipë e pasanikëve cinikë, i tillë çfarë është shefi i kabinetit të Presidentit, Jason (Jonah Hill), i cili është gjithashtu djali i saj, dhe promovimi i një filmi fatkeqësie të quajtur “Total Devastation” (Shkatërrimi Total) që është planifikuar të publikohet në ditën kur kometa ta godasë tokën, në shitposterin* që ngre akuzën se “miliarderët hebrenj e kanë shpikur kërcënimin me kometë në mënyrë që qeveria të mund ta konfiskojë lirinë dhe armët tona” dhe obsesioni kombëtar me jetën dashurore të yllit të popit Riley Bina (Ariana Grande), e cila përfundimisht bashkohet me Kate dhe Randall në “For Real Last Concert to Save the World”, ku ajo këndon një baladë romantike me tekst aq brutal histerik, të tillë si: “Nxirreni kokën nga bytha e gomarit, dëgjoni shkencëtarët e kualifikuar. E djallosëm me të vërtetë. . . Së shpejti do të vdisni, që të gjithë.”

Gazetarët në Herald, në vend që t’i kushtojnë vëmendje dhe të dalin në anën e shkencëtarëve të cilët e kanë zbuluar kometën shkatërruese dhe pret ta godasë tokën së shpejti, ata janë të obsesionuar në mediat sociale dhe shumë shpejt e shtyjnë mënjanë storien dëshpëruese me kometën; Peteri bën një prezantim të produktit në skenë, duke i përdorur fëmijët si rekuizita pothuajse robotikë, kur njëri prej spikerëve i paralajmëron anëtarët e audiencës që të mos kenë kontakt me sy me të dhe t’a shmangin “mimikën negative përmes fytyrës”. Në studion jeshile të talk-show, Kate e refuzon një fustan të cilin e sjell një stilist me vete, ndërkohë që Randall e lejon stilistin t’ia shkurtojë mjekrën e tij edhe pse ia del ta parandalonte një sulm paniku. Skena parashikon transformimin e tij në një personazh të famshëm televiziv dhe një lloj objekti seksual demode, i cili më pas integrohet në shërbimin qeveritar për t’a mbuluar legjitimitetin shkencor të një administrate të korruptuar. Refreni mië i mirë – sepse në dukje i rastësishëm dhe i zhdrejtë, por në fund të fundit i mbuluar me një linjë të vetme të psikologjisë politike që është më e thellë dhe më misterioze se çdo gjë tjetër në film – është kthesa e parëndësishme e një gjenerali me tre yje (Paul Guilfoyle) i cili, jashtë Zyrës Ovale, u merr para shkencëtarëve për patate të skuqura dhe ujë (të cilat supozohet të jenë falas).

Nuk është befasi nëse themi se improvizimi i aktorëve është me bollëk, sepse filmi ka një ndjenjë të çuditshme dhe gazmore. Megjithatë, redaktimi i shpejtë i pamjeve të kompozuara pothuajse në mënyrë arbitrare krijon një rigjiditet mendjengushtë. Toni i komedisë së improvizuar vjen pa ndjenjën e rrezikut; rreshtat e njëanshëm janë futur në kufijtë e personazhit dhe historisë si pllaka në një rrjet, dhe tepricat e vetme janë një grusht tiradash shpërthyese televizive që luajnë si momente emblematike “Rrjeti” për ta ngjallur grushtin e shikuesve. Ajo që është befasuese është se skenari u shkrua para pandemisë së Covid-it – filmi është një pamje befasuese e saktë e mohimit të qëllimshëm dhe fyes që goditi reagimet ndaj krizës në të gjitha nivelet e qeverisë dhe biznesit, dhe që është krahasuar me të gjithë nga një refuzim kulti i këshillës mjekësore nga individë në të gjitha shtresat dhe sektorët e shoqërisë.

Këto detaje të afërta dhe dialogu i shpejtë komik (llomotitja e kotë e Presidentes, shakaja e ftohtë cinike e Brie në dhomën e gjumit), e bëjnë “Don’t Look Up” të dallohet, të paktën, si një karikaturë politike në shënjestër e zgjeruar në shkallën e një murali madhështor, me gjithë pompozitetin dhe monotoninë që sugjeron një krekosje të tillë. Filmi satirizon rrjedhën banalizuese të thashethemeve të njerëzve të famshëm dhe mendjelehtësisë me tone të lehta, të klikimeve që shtyjnë mënjanë raportimin investigativ dhe të manjatëve të teknologjisë jo vetëm që uzurpojnë pushtetin e qeverisë, por edhe e komandojnë diskursin publik. Për më tepër, anti-estetika e pamjeve neutrale dhe efikasiteti narrativ i parapërgatitur eliminon plotësisht çdo kuptim të vërtetë të politikës apo të konfrontimit politik. Filmi është i vendosur kryesisht brenda dhe përreth qeverisë, por nuk na shfaq diçka si p.sh., një opozitë politike, sikurse në Kongres apo shtëpitë shtetërore, ndaj veprimeve dhe mosveprimeve të Presidentes Orlean në lidhje me kometën. (Më i afërti me këtë është populizmi radikal dëshiror i kryengritjes spontane të mbështetësve të Orleanit në një tubim ku ata e kuptojnë se i kanë gënjyer.)

Ambicia e integruar e filmit duket se është thjesht një demagogji e vrazhdë, duke arritur në një apoteozë (hyjnizim) tek spektatorët që sapo kanë hapur sytë e tyre në shtëpi duke i hapur dritaret e tyre të izoluara keq dhe duke bërtitur në rrugë, “Ndryshimi klimatik është diçka e vërtetë!”, pa ndonjë kërkesë politike apo ndërgjegjësimi për veprimet që mund të kërkojë nevoja për ta ngadalësuar atë. Faji bie mbi Peter Isherwellët e botës, të cilët kërkojnë të përfitojnë prej saj, pastaj tek Orleanët, të cilët e mohojnë atë ose e manipulojnë atë për hir të pushtetit; supozohet se gënjeshtrat dhe deformimet e tyre janë gjithçka që i pengon njerëzit e zakonshëm të kërkojnë veprim. Nuk ka kuptim të psikologjisë politike, të tendencës së njerëzve për të pasur një pamje, fillimisht tek interesat dhe nevojat personale të menjëhershme – qofshin këto interesa punësimi apo të ardhurat, komoditeti apo ushqimi – dhe ose e konsiderojnë ndryshimin klimatik diçka si abstrakt në largësi apo që dyshojnë se mirëqenia e tyre e tanishme do të sakrifikohej ndaj politikave të favorshme për klimën.

Në vend të një filmi politik, “Don’t Look Up” është një film cinik. Në thelb është një film i Jill Stein, një gjestikulacion që nuk ka dallim mes palëve, se qeveria është pjesë e xhepit të korruptuar të biznesit dhe se elitat e të gjitha llojeve janë indiferente ndaj interesave aktuale të vendit. (Edhe pse nuk përmenden ahengjet, filmi qartazi e shfaqë një foto në tavolinën e Presidentes ku ajo shihet krah për krah me Bill Klintonin.)

Pse Hollivudi e trajton fatkeqësinë mjedisore? Pse yjet përfshihen në ruajtjen e jetës së egër? Pse ka kaq pak personazhe të famshëm që vënë emrin dhe talentin e tyre pas, le të themi, të drejtën e votës – pa të cilat asnjë projekt progresiv siç është Green New Deal (Marrëveshja e Re e Gjelbër) nuk e ka shansin më të vogël për t’u nënshkruar në ligj? Nuk është vetëm sepse të gjithë i duan kafshët, ose pse yjet e filmit preferojnë t’i kalojnë pushimet e tyre në një egërsi të largët sesa në kontenë Maricopa, por sepse do të ishte e pamundur të bëhej një film për shkeljen e të drejtave të votës pa marrë parasysh se të drejtat e kujt po shfuqizohen, kush është duke e bërë një gjë të tillë, dhe cilat kategori votuesish i mbështesin masat. Kritika e ndryshimit klimatik, nga ana tjetër, e lejon shënjestrimin e mega-bizneseve dhe liderëve politikë, ndërkohë që i lë individët – domethënë, shikuesit e mundshëm të filmave dhe biletablerësit – jashtë fushës së kritikës. Me pak fjalë, ajo që njerëzit e Hollivudit nuk duan të bëjnë është ta kritikojnë një parti politike, sepse aty shkon gjysma e arkëtimeve të mundshme.

“Don’t Look Up”, ylli i “Total Devastation” (i luajtur nga Chris Evans) bën një paraqitje promovuese duke veshur një karficë të bërë nga vetë ai, një shigjetë dykokëshe që lëviz lart dhe poshtë, të cilën ai e shpjegon si një përpjekje të tijën për t’i parë të dyja anët e çështjes dhe për t’i tejkaluar ndasitë kombëtare. Ajo që ai me të vërtetë siguron është ruajtja e një mase të vetme, të unifikuar, të pandashme të shikuesve të ardhshëm të filmit dhe biletablerësve. “Don’t Look Up” mund të jetë me vend i paqartë në lidhje me nocionin dhe rrezikun e vetë ndryshimit klimatik, por kur bëhet fjalë për politikën që qëndron në themel të politikave anti-mjedisore, McKay mund të jetë gjithashtu i veshur me po të njejtën karficë.

Meritat dhe të metat e filmit janë të pavarura nga çdo vërejtje publike nga McKay dhe bashkëkrijuesi i filmit, David Sirota, duke përfshirë cicërimat (tweetet) e tyre që sugjerojnë, respektivisht, se kushdo që mendon negativisht për të nuk shqetësohet për ndryshimin klimatik dhe se shpifësit e tij janë pikërisht budallenjtë e mediave të pavëmendshëm se filmi është një parodi në vete. Vërejtje të tilla duhet të kuptohen si pjesë e fushatës reklamuese, si anim ndaj meritave të vetë filmit – edhe nëse pohimi i kineastëve se argëtimi i tyre energjik është një kontribut për shoqërinë në përgjithësi, është në vetvete një tipar përcaktues i estetikës demagogjike të filmit. Edhe drejtuesit e Marvel nuk ishin aq të kotë sa të akuzonin kritikët e “Avengers: Infinity War” për miratimin e çmendurisë apokaliptike të Thanos.

Më shumë se cicërimat e krijuesve të filmit, ajo që jep një kuptim më të qartë të efektit toksik të filmit në mediavers është përgjigja e shkencëtarëve të klimës ndaj vlerësimeve negative të tij. Shkencëtarët klimatikë e kanë miratuar filmin me entuziazëm si një paraqitje të saktë të pengesave me të cilat përballen në përpjekjen për të bindur politikanët, publikun dhe madje edhe gazetarët mbi urgjencën e krizës klimatike. Dr. Michael E. Mann, klimatolog e që është edhe mik dhe këshilltar i DiCaprios, e quan atë “komentim serioz sociopolitik që paraqitet si komedi”. Futuristi klimatik, Alex Steffen, cicëron në Twitter rreth vlerësimeve negative si “komente të nxehta të shkruara nga punëtorë të cfilitur të kulturës nga një univers alternativ” ku katastrofa klimatike nuk po ndodh.

Më duket se, nëse shkencëtarët nuk duan që kritikët e filmit të ngërdheshën me shkencën, shkencëtarët duhet të ndalojnë së përzieri me artin. Po, po bëj shaka; por, jo, nuk jam duke bërë shaka. Dështimi i aktualitetit në “Don’t Look Up” është, jo më pak i rëndësishëm, se, në fakt, këndvështrimi cinik apolitik i filmit për politikën kontribuon në mjedisin mediatik joserioz dhe vetëvlerësues të cilin ai e qorton. Rrëmimi i tij i turbullt dhe fushëveprimi kolosal është më i dukshëm për lënjen mënjanë dhe pikat e tij të verbëra. Ambiciet e tij qytetare pasqyrojnë, mbi të gjitha, vizionin brenda tunelit të Hollivudit të cilin në fakt, edhe e përqeshë.

*Një person që bën postime pa vlerë në një tabelë mesazhesh, grup lajmesh ose një platformë tjetër diskutimi në internet.

Linku: https://www.newyorker.com/culture/the-front-row/the-crude-demagogy-of-dont-look-up