Dr.AFRIM GASHI - Reumatolog

Çka është 'Lupusi Eritematoz Sistemik' - Simptomat dhe trajtimi në Kosovë

Lupusi Eritematoz Sistemik është sëmundje autoimune me natyrë kronike, në të cilën sistemi imunitar i atakon indet e vetvetes duke shkaktuar inflamacion multisistemik të ndërmjetësuar me autoantitrupa dhe imunokomplekse në pothuajse secilin sistem organor.

Shkaktari definitiv i sëmundjes nuk është i njohur, mirëpo besohet se ndërveprimi i faktorëve gjenetik, mjedisorë dhe hormonal ndikon në shfaqjen dhe zhvillimin e saj.

Lupusi është më i shpeshtë tek femrat e moshës fertile (15-45 vjeç) sesa tek meshkujt në raport 9:1. Duke qenë se Lupusi manifestohet në shumë organe, paraqiten një varg shenjash dhe simptomash të cilat mund të jenë intermitente, shfaqen në kohë të ndryshme përgjatë rrjedhës së sëmundjes dhe mund të jenë jospecifike, p.sh lodhja, plogështia, kokëdhimbja, ethet, humbja e peshës, rënia e flokëve, apo specifike për organin e afektuar.

Te disa persona simptomat mund të jenë relativisht të lehta, ndërkaq të tjerë mund të zhvillojnë simptoma të rënda dhe jetë kërcënuese që shfaqen në mënyrë të papritur. Për shkak të ngjashmërisë me sëmundje të tjera dhe simptomave variabile, ekzistojnë 11 kritere klinike dhe 6 laboratorike që përdoren për diagnostikimin e lupusit eritematoz sistemik.

Kombinimi i medikamenteve dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës sigurojnë lehtësimin e simptomave, parandalimin e ndezjeve, ndërprerjen e progresionit të sëmundjes dhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme.

Terapia e individualizuar me barna si antiinflamatorët josteroide, kortikosteroidet, antimalarikët dhe imunosupresivët ka dhënë rezultate të shkëlqyera dhe sot shumica e pacienteve me lupus jetojnë jetë normale.

Menaxhimi i lupusit është i mundur vetëm nën monitorim të afërt nga reumatologu, i cili duke e përcjellë përgjigjen ndaj terapisë, e përshtat dhe ndryshon mjekimin në atë mënyrë që efektet anësore të jenë minimale përderisa sëmundja vazhdon të mbahet nën kontroll.

Përveç trajtimit medikamentoz, vetë-menaxhimi me veprime të thjeshta si përdorimi i kremrave me faktor mbrojtës nga rrezatimi ultraviolet, ndërprerja e duhanit, aktiviteti fizik i përditshëm, konsumimi i ushqimit të shëndetshëm ka rol të jashtëzakonshëm në menaxhimin e sëmundjes.