Chiellini: Dëshirojmë të kualifikohemi ndaj Atleticos

Kapiteni dhe qendërmbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka folur në një konferencë për media për ndeshjen e nesërme ndërmjet Juventusit dhe Ateltico Madridit.

Juventus- Atletico Madrid zhvillohet në kuadër të ndeshjes së dytë në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve, pasi në ndeshjen e parë kanë fituar spanjollët me rezultat 2-0.

Chiellini ka shprehur haptazi aspiratat e Juventusit se dëshirojnë kualifikimin në çerekfinale. Ai po ashtu ka thënë se çdo ditë prej ndeshjes së parë kanë menduar për ndeshjen ndaj Atleticos.

“Dëshirojmë të kualifikohemi dhe të shkojmë deri në fund. Jemi mësuar në situata të tilla dhe shpresojmë të kalojmë një mbrëmje magjike në Ligën e Kampionëve. Brenda vetes, secili prej nesh ka menduar çdo ditë për ndeshjen e kthimit ndaj Atletico Madridit”, ka thënë Chiellini.

Italiani ka thënë se kualifikimi do t’i jepte një shtytje të madhe për muajt e ardhshëm.

Ai po ashtu ka thënë fjalë të mëdha për Cristiano Ronaldon, duke besuar se portugezi do të jetë nesër Ronaldo i vërtetë.

“Gjithçka është e mundur, kualifikimi do të na jepte një shtytje për muajt e ardhshëm. Reagimi nga Simeone në Madrid? Për ne gjëja më e rëndësishme është të festojmë nesër mbrëma. Jam i sigurt në 200% se nesër mbrëma Cristiano Ronaldo do ta bëjë Cristianon”, është shprehur kapiteni i Juventusit.